Sport

E ardhmja e Shaqirit te Liverpooli është e pasigurt

Futbollisti më i suksesshëm shqiptar, Xherdan Shaqiri mund të largohet gjatë verës nga kampioni i Evropës, Liverpooli.

Menaxheri dhe vëllai i madh i Xherdanit, Erdin Shaqiri në një intervistë dhënë emisionit sportiv të KTV-së “Sporti Total” ka thënë se pas përfundimit të këtij edicioni të pezulluar për shkak të pandemisë COVID-19 do të flas me drejtuesit e skuadrës së Liverpoolit për të ardhmen e futbollistit kosovar të përfaqësueses së Zvicrës. Megjithatë, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e largimit të tij nga skuadra e drejtuar nga gjermani Jurgen Klopp.

“Unë nuk mund të them asgjë konkrete, por është normale që pasi të rifillojë dhe më pas të përfundojë ky edicion në Premier League, do të ulemi me drejtuesit e Liverpoolit dhe do të bisedojmë për të ardhmen e Xherdanit”, ka thënë Erdini.

Menaxheri Shaqiri nuk ka dashur të zbulojë se cilat klube kanë shprehur interesim për ta transferuar. Por, ai ka pohuar se janë 2-3 klube që edhe gjatë muajit janar kanë shprehur interesim për ta pasur në skuadër.

Për futbollistin e lindur në Zhegër të Gjilanit është raportuar se interesim kanë shprehur gjatë muajit janar Roma, Sevilla, Borussia Dortmund, Fenerbahçe, Galatasaray dhe disa skuadra tjera në Angli si ajo e West ham United, Newcastle United dhe Southamptoni. Por, Roma ka qenë skuadra më insistuese për Shaqirin.

“Për Xherdanin gjithmonë ka pasur interesim nga klube tjera. Ka pasur interesim konkret nga 2-3 edhe gjatë muajit janar, por besoj se edhe verës do të ketë oferta të shumta për të. Por, prioritet do të ketë Liverpooli me të cilin do të flasim për të ardhmen e Xherdanit”, është shprehur Shaqiri. Shaqiri te skuadra e Liverpoolit u transferua në verën e vitit 2018 nga skuadra e Stoke City, skuadër me të cilën luajti për tre vite. Me Liverpoolin ka kontratë deri në qershor të vitit 2023.