Sport

Ferizaj, klubi në krizë financiare para përhapjes së pandemisë në Kosovë

Descriptive Text

Ekipi i Superligës së Kosovës në futboll, Ferizaj, po përballet me një krizë të rëndë financiare që nga fundi i vitit të kaluar.

Futbollistët e këtij ekipi nuk janë paguar fare për tre muajt e fundit dhe nuk dihet se kur mund të marrim pagat e tyre që i kanë të garantuara në kontratat e firmosura.

Në fakt, Ferizaj pak para fillimit të këtij edicioni, saktësisht në verën e vitit 2019, u privatizua, ku 51 për qind të aksioneve kaluan në pronësi të anglezëve, Brian Deane, Benjamin James Rees dhe Oliver Codrington, kurse pjesa tjetër mbeti në duart e vendorëve. Por privatizimit duket se ferizajasit ia panë sherrin, shkruan KOHA.

Pra, te Ferizaj është gjendje e rëndë financiare edhe para se të përhapej pandemia e koronavirusit në Kosovë dhe këtë e konfirmon edhe kapiteni i ekipit, Dardan Çerkini.

Superliga e Kosovës aktualisht është e pezulluar prej muajit të shkuar për afat të pacaktuar shkaku i koronavirusit derisa shumë klube po frikësohen nga kriza financiare si pasojë e kësaj pandemie.

Madje, klubet e tjera te Superligës pritet të ulin pagat e futbollistëve të tyre për këtë arsye. Por te Ferizaj një gjë e tillë as që diskutohet për shkak se tashmë disa muaj janë në pritje të pagave. Çerkini ka treguar se pagën e dhjetorit e kanë marrë gjatë këtij viti dhe madje në tri pjesë. Kjo edhe ishte paga e fundit në këtë klub.

“Është e vërtetë dhe dihet publikisht që ne jemi pa paga tashmë një periudhë të gjatë dhe kjo është shumë e vështirë. Klubi na i ka borxh tri paga. Pagën e dhjetorit e kemi marrë të ndarë në tri pjesë gjatë këtij viti. Kurse pagat e këtij viti nuk i kemi marrë asnjë”, tha Çerkini, i cili theksoi se edhe përkundër vonesave, në fushë e kanë dhënë maksimumin. “Sigurisht mungesa e pagës ndikon shumë në suksesin e ekipit, por, edhe me gjithë këtë, ne e kemi dhënë maksimumin në fushë dhe në pjesën e dytë të sezonit, kemi grumbulluar jashtëzakonisht shumë pikë”.

Çerkini nënvizoi se premtime për shlyerjen e borxhit kanë marrë çdoherë, por që ato premtime nuk janë mbajtur asnjëherë. Madje edhe pagat e mëhershme që kanë marrë, shumica prej tyre, sipas tij, kanë qenë pjesë-pjesë dhe me vonesa.

Kapiteni i Ferizajt ua bën me dije drejtuesve të klubit se nëse nuk kryhen obligimet, nuk do të luajnë më dhe se nuk kanë zgjidhje tjetër, pos t’i drejtohen Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.