Sport

Rakitiq: Mos më trajtoni si thes patatesh

Descriptive Text

Mesfushori kroat i Barcelonës, Ivan Rakitiq ka kritikuar klubin për tretmanin që i ka bërë së fundi dhe se tentoi të shtynte atë drejt largimit vitin e kaluar.

Kroati te Barcelona gjendet që nga viti 2014, mirëpo ka humbur vendin në përbërjen startuese pas ardhjes së mesfushorit holandez Frenkie de Jong. Ai ka startuar vetëm në 10 nga 27 ndeshjet e Barcelonës në La Liga këtë stinor.

“Unë e kuptoj situatën, por nuk jam thes patatesh me të cilin mund të bësh çdo gjë. Unë dua të jem diku ku ndjej se më duan dhe respektojnë. Nëse ai vend është Barcelona atëherë do të isha i lumtur, por nëse është diku tjetër atëherë unë do të jem ai që do të marrë vendim, jo dikush tjetër”, ka thënë Rakitiq 32-vjeçar për “Mundo Deportivo”.

Rakitiq po ashtu ka konfirmuar se ka refuzuar t’i bashkohet Paris Saint-Germainit vitin e kaluar si pjesë e marrëveshjes për të rikthyer Neymarin te Barcelona.

Ai po ashtu ka folur për zhgënjimin e humbjes së vendit në skuadër këtë stinor, por ka insistuar se dëshiron të mbetet deri në fund të kontratës, që skadon në vitin 2021. Kjo do të nënkuptonte se Barcelona nuk do të merrte dëmshpërblim.

“Viti i kaluar ishte më i miri nga gjashtë vjet këtu dhe jam zhgënjyer se si jam trajtuar. Kam qenë shumë i befasuar dhe nuk e kam kuptuar. Rezultatet nuk kanë qenë më të mirat dhe unë nuk kam luajtur shumë, për këtë arsye jam ndjerë i lënduar. Kam pasur një pjesë të parë të stinorit shumë të çuditshme, shumë të papërshtatshme dhe befasuese. Por, shpresoj se do të mund të përfundojë këtë vit timin të fundit të kontratës”, ka thënë Rakitiq.

Futbolli në Spanjë, si dhe gati në gjithë botën, është pezulluar shkaku i koronavirusit.