Sport

Tottenhami nuk e ka ndërmend ta shesë Kanen te ndonjë klub rival në Premier League

Foto: Reuters

Klubi i Premier Leagues së Anglisë, Tottenham nuk e ka ndërmend të shesë yllin Harry Kane këtë verë e po ashtu nuk do ta shesë atë te një rival i Premier Leagues, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

Kane 26-vjeçar, firmosi kontratë gjashtëvjeçare me Tottenhamin në qershor të vitit 2018.

Muajin e kaluar, ai tha se nuk do të qëndrojë te klubi londinez vetëm për hatër dhe raportohet se kryetari Daniel Levy është i gatshëm të shesë sulmuesin anglez për 200 milionë funte.

Manchester Unitedi po interesohet për transferimin e kapitenit të Anglisë.

Tottenhami ka qenë një nga klubet e para që i ka pushuar përkohësisht stafin për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, duke përfituar nga skema e qeverisë për të mbuluar pagat e punëtorëve që pushohen shkaku i krizës.

Raportohet se për shkak të krizës financiare Levy është i gatshëm të shesë Kanen nëse paguhen afro 200 milionë funte (rreth 230 milionë euro).