Sport

Fillon stinori i bejsbollit dhe futbollit në Tajvan

Descriptive Text

Stinori i bejsbollit dhe futbollit në Tajvan ka filluar në fundjavë pa shikues, duke ofruar aktivitete të rralla sportive në një kohë kur pandemia COVID-19 ka mbyllur shumicën e sporteve profesioniste nëpër botë, shkruan Reuters, transmeton Koha.net.

Tajvani ka qenë i suksesshëm në parandalimin e përhapjes së virusit, duke raportuar vetëm 388 raste dhe gjashtë të vdekur në një popullatë rreth 24 milionë.

Globalisht, më tepër se 110 mijë persona kanë vdekur nga virusi.

Liga Profesioniste Kineze e Bejsbollit, siç njihet kampionati i bejsbollit, startoi të dielën, një ditë më vonë se zakonisht, për shkak të shiut.

Kubani Ariel Miranda, ish-lojtar i Seattle Mariners, bëri hedhjen e parë të stinorit për Chinatrust Brothers kundër Uni-President Lions në stadiumin e bejsbollit “Taichung” të dielën.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen ka postuar një foto në faqen e saj në Facebook duke shikuar ndeshjen nga shtëpia, përcjellë nga macet e saj dhe i ka bërë thirrje të gjithë tjerëve të shijojnë lojën nga shtëpia.

“Gjëja më e rëndësishme është se pasi që të mbarojë pandemia, ne do të shohim njëri-tjetrin në fushë të bejsbollit!” ka shkruar ajo.

Nuk u lejuan tifozë në stadiumin me 20 mijë ulëse, ndërsa Lionsi fitoi 4:1. U limituan në total 200 lojtarë, trajnerë, referë, nxitëse të tifozëve dhe gazetarë, kanë raportuar mediumet lokale.

Rakuten Monkeys kishte vendosur tifozë të kartonit në tribuna për ndeshjen e të shtunës, që u shty për shkak të shiut. Të gjithë që janë futur në stadium të bejsbollit i janë nënshtruar kontrollit të temperaturës.

Stinori i katërt i Premier Leagues së Trajvanit nisi të dielën, ku klubi Tatung City FC humbi 3:2 nga rivali Taipower.

Tatung e ka fituar kampionatin në tri edicionet e para, kampionat që nisë në prill dhe mbaron në tetor. Ndërkohë Taipower ka dal nënkampion tri herë.