Sport

Zlatani shfrytëzon rregullat e “buta” në Suedi, stërvitet në klubin ku ka aksione

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq ka marrë pjesë të enjten në një stërvitje me Hammarbyn, klubin suedez ku ylli i futbollit ka aksione.

“Zlatani po e kalon kohën e tij në Stockholm së bashku me familjen, pas izolimit të Italisë. Ai ka ndier se dëshiron të dalë në fushë sërish dhe të luaj futboll”, ka thënë drejtori sportiv i klubit, Jesper Jansson.

“Natyrisht ai është i mirëseardhur të ushtrojë me ne. Ai na ka vizituar sot dhe mori pjesë në seancën tonë stërvitore. Nëse Zlatani dëshiron, ai është më shumë se i mirëseardhur që të bashkohet në seancat e ardhshme stërvitore”.

Suedia nuk ka rregulla strikte për të luftuar pandeminë. Në Suedi po luhen ndeshje miqësore të skuadrave amatore, ku nuk lejohen më tepër se 50 njerëz.

“Rregullat nuk janë të ashpra si në pjesët tjera të botës. Ne mund të kemi grumbullime deri në 50 persona. Këtë javë stërvitjet janë vullnetare. Gjysma e ekipit ka ushtruar sot. Të hënën vazhdojmë me stërvitje të rregullta”, ka treguar Jansson.