Sport

Liga e Belgjikës shtyn ratifikimin e vendimit për të anuluar edicionin

Liga Profesioniste e Futbollit në Belgjikë ka shtyrë për më shumë se një javë ratifikimin e planifikuar të vendimit të saj për të anuluar edicionin aktual.

Kjo është bërë e ditur të enjten, raporton Reuters.

Bordi i Pro Leagues ka vendosur javën e kaluar që të anulojë edicionin aktual, duke u arsyetuar me çështje të shëndetit dhe financiare.

Anulimi i pjesës së mbetur të edicionit nënkupton se Club Brugge do të fitojë titullin e kampionit. Por vendime tjera të rëndësishme si rënia dhe promovimi në ligë e po ashtu dalja në gara evropiane ka mbetur të merren nga një grup punues.

Por vendimi duhet të ratifikohet në një mbledhje të të gjithë 24 anëtarëve të ligës. Mbledhja e 15 prillit është dashur të jetë formalitet, pasi 17 prej 24 anëtarëve kanë nënshkruar një letër më parë për anulim të edicionit.

Të enjten është vendosur që mbledhja të mbahet më 24 prill, pa dhënë ndonjë informatë për lëvizje të terminit. Sipas Reuters, kjo ka shtuar spekulimet për mundësinë e anulimit të vendimit.

UEFA kishte kritikuar Belgjikën që nuk tentoj të kompletoj edicionin. UEFA e ka kërkuar këtë nga të gjitha vendet anëtare të saj. Madje UEFA kishte kërcënuar se do të përjashtoj nga garat evropiane të edicionit të ardhshëm skuadrat e vendeve që anulojnë kampionatet me vendime të njëanshme.