Sport

Sokoli pret ndryshim në sistem të garave për të përfunduar kampionatin në futboll

Bylbyl Sokoli, trajner i futbollit, ka thënë se pret që pas izolimit nga koronavirusi, sezoni aktual i Superligës të vazhdojë me ndryshim të sistemit të garave.

Në Express Intervistën në KTV, Sokoli ka thënë se ka parë futbollistë të shumtë në Kosovë që po përgatiten individualisht, teksa ka shtuar se pret që forma e tyre të ketë rënë për shkak të izolimit qe gati një muaj.

“Nëse fillon kampionati, s’do të jetë vazhdim i kampionatit të kaluar sepse edhe s’ka kohë edhe s’përputhet me projektin që ishte më herët. Në momentin kur ai s’mund të realizohet duhet të gjinden forma të tjera për realizimin apo përfundimin e kampionatit. Jam i sigurt se ai s’do të vazhdojë me projekt të mëhershëm, por do të pësojë ndryshime. Futbollistët s’do të mund të përballojnë edhe 15 ndeshje pa përgatitje. Mendoj se duhet të gjendet forma e duhur. Një e treta e kampionatit ka mbetur pa përfunduar dhe me siguri kampionati duhet të përfundojë për një muaj, dhe për katër javë s’mund të përfundojnë 12-13 xhiro. Mendoj se do të ketë ndryshim të sistemit të garave, por që duhet të gjendet modusi si të përfundojë kampionati e të nxirret një kampion i merituar. Nëse organet ndërkombëtare sjellin një vendim, do të shohim. Kjo do të varet për dhjetë ditë. Ka ide që tabela të jetë ajo që ishte para krizës. Por ka pak gjasa. Besoj se kampionati dikur në javën e dytë të muajit maj mund të fillojë. Kështu të paktën paralajmërojnë Gjermania e Italia. Kur atje planifikojnë për dy-tri javë me kampionate pse të mos shpresojmë edhe ne. Nëse merret vendim nga UEFA për përfundim, në rregull, por ka pak gjasa”, ka thënë ai.

“Izolimi, karantina, ka ndikuar në formën e futbollistëve. Futbollistët s’munden të ndjekin formën e tyre dhe kemi rënie të aftësive psikomotorike, shpejtësisë, forcës, qëndrueshmërisë. Ka rënie drastike të formës. Por situata që jemi tash, duhet të gjejmë mundësi që aftësitë fizike të paktën të mbahen në formë më adekuate aq sa munden, që të jenë të gatshëm për fillimin e edicionit të ri, për të cilin jam optimist se do të fillojë. Futbollistët mund të shfrytëzojnë individualisht hapësirat e të punojnë në qëndrueshmëri, të punojnë brenda shtëpisë për të mbajtur elasticitetin, e të bëjnë ushtrime tjera për zgjatje e ushtrime të tjera elementare për të mbajtur formën. Por futbollistët kanë programe që përcillen nga trajnerët e tyre. Të gjithë kanë formësuar disa programe që përcillen me aplikacione”, ka shtuar ai.

Sipas Sokolit, klubet në Kosovë nuk do të preken shumë financiarisht nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Në futbollin e Kosovës, pengesat në aspektin financiar s’do të vërehen sepse një pjesë e klubeve janë shoqata joqeveritare, jo të aksionarëve të privatizuar. Këto janë klube që mbahen nga entuziastë që s’përfitojnë shumë andaj s’mund të flasim për humbje të mëdha në aspektin financiar”, ka thënë tutje Sokoli.