Sport

Ferdinand tregon se si refuzoi mundësinë që t'i bashkohej Barcelonës

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit dhe Anglisë, Rio Ferdinand ka treguar se si kishte refuzuar mundësinë që të transferohet te Barcelona në vitin 2008.

Atij i ishte dukur e rrezikshme të kalonte te Barcelona që ishte në një periudhë tranzicioni.

Qendërmbrojtësi anglez kishte kontakte me Barcelonën e më pas trajneri i atëhershëm i Barcelonës, Frank Rijkaard e kontaktoi Ferdinandin pas ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes dy klubeve. Unitedi e fitoi Championsin atë vit.

“Pas ndeshjes në Barcelonës, rrugës për në zhveshtore bisedova me Rijkaardin. Bisedimet vazhduan. Kishte bisedime me agjentin”, ka thënë Ferinand për “BT Sport”, transmeton Koha.net. 

Por, transferimi nuk u realizua. Barcelona në stinorin vijues fitoi tripletën (Ligën e Kampionëve, La Ligan dhe Kupën e Spanjës) nën drejtimin e Pep Guardiolas.

Ferdinand, tash 41-vjeçar, thotë se u inkurajua të qëndronte në Angli pasi Unitedi e mposhti Barcelonën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të vitit 2008. Në finale e mposhti Chelsean pas penalltive.

“Ne e mposhtëm Barcelonën dhe u bëmë kampion të Evropës. Pse duhej të largohesha për një klub tjetër? Unë gjithmonë kisha dëshirë të luaja në ndonjë klub jashtë Anglisë, por gjëja e vetme që do të më ndalonte ishte po të kisha sukses në vendlindje. Isha me fat që gjeta një klub të madh si Manchester Unitedi dhe do të ishte gati e pamundur për mua që të largohem”, a thënë Ferdinand.

Derisa Ferdinandi mbeti te Unitedi, spanjolli Gerard Pique u largua nga klubi anglez duke u kthyer te Barcelona. Barcelona e shkarkoi Rijkaardin në fundin e stinorit 2007-08, duke e emëruar në krye Guardiolan.

Me Guardiolan, Barcelona nisi dominimin në futboll. E mposhti Unitedin në finale të Ligës së Kampionëve të vitit 2009 me rezultatin 2:0 dhe sërish në finalen e vitit 2011 me rezultatin 3:1.

Por, Ferdinand ka mbrojtur vendimin për të mos lëvizur.

“Në atë kohë Messi ishte 20-vjeçar, Xavi Hernandez e Anders Iniesta vetëm sa filluan të dalin në skenë. Ata në atë kohë nuk ishin lojtarët që u bënë pas tri apo katër vjetëve”, ka thënë Ferdinand, që me Unitedin luajti 12 stinorë dhe fitoi gjashtë herë Premier Leaguen.