Sport

Lojtarët e Juventusit bëhen shembull për të tjerët

Juan Cuadrado ka konfirmuar se Giorgio Chiellini ka orkestruar lojtarët e Juventusit në pranimin e marrëveshjes për reduktim të pagave për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne shpresojmë se kemi paraqitur shembull për të tjerët”, ka thënë ai.

Kampioni Juventusi, është klubi i parë në Itali që ka arritur marrëveshje me lojtarët për ulje të pagave. Klubet tjera po përballen me shumë vështirësi gjatë negociatave.

Serie A të hënën vendosi t’iu rekomandojë lojtarëve ulje të pagave, por shoqata e lojtarëve vlerësoi rekomandimin si të turpshëm.

“Kapiteni Chiellini foli me klubin dhe më pas komunikoi me ne nëpërmjet një grupi në ‘Whatsapp’, për atë që ishte diskutuar. Ne kemi folur për të gjitha gjërat që kanë ndodhur. Është moment i vështirë për të gjithë dhe ne kemi dashur të japim kontributin tonë. Shpresojmë se jemi bërë shembull për të tjerët”, ka thënë Cuadrado për Sky Sport Italia.

Futbollisti i Kolumbisë luan për Juventusin që nga viti 2015.

Juventusi kohë më parë ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me lojtarët për t’ua ndalur atyre katër paga mujore.

Shumë lojtarë të Juventusit janë larguar nga Italia gjatë krizës nga pandemia, që po vazhdon ende. Por Cuadrado ka mbetur në Torino.

“Jam i lumtur me vendimin tim. Po i kaloj 24 orë në ditë me familjen dhe kjo nuk ka ndodhur me mua për kohë shumë të gjatë. Kohën kryesisht po e kaloj me fëmijët”, ka theksuar Cuadrado.