Sport

NBA-ja nuk pritet të marrë ndonjë vendim për stinorin para majit

Descriptive Text

Komisioneri i NBA-së, Adam Silver ka thënë se nuk do të ketë një vendim për rinisje të ligës apo jo së paku deri në maj, njofton agjencia Reuters, transmeton Koha.net.

Duke shkruar në llogarinë e NBA-së në Twitter, Silver ka thënë se në një botë perfektë liga e basketbollit do të përfundonte stinorin e rregullt në një formë dhe do të vazhdonte me garat e plejofit. Mirëpo, sipas tij është tepër herët për të bërë projeksione.

NBA ka qenë liga e parë e madhe profesioniste e Amerikës së Veriut që është mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19, që ka infektuar 1.27 milionë persona nëpër botë dhe ka lënë mbi 71 mijë të vdekur.

“Ajo që u kam thënë të gjithëve gjatë javës është se duhet të pranojmë se, së paku për muajin prill, ne nuk do të jemi në pozitë të marrim ndonjë vendim. Dhe nuk besoj se kjo do të thoshte se se do të mund të marrim vendimin menjëherë më 1 maj”, ka thënë Silver.

Në mesin e marsit, kur kishin mbetur edhe pesë javë deri në fund të stinorit të rregullt, NBA-ja pezulloi stinorin pasi një lojtar testoi pozitiv me koronavirus.

Që nga atëherë disa lojtarë të NBA-së dolën të infektuar me virusin, në mesin e tyre edhe ish-basketbollisti më i mirë Kevin Durant i Brooklyn Nets.

Plejofi ishte paraparë të niste më 18 prill dhe të përfundonte në qershor. Por, Silver ka thënë se liga po shqyrton disa skenarë për rinisjen e stinorit, mirëpo ka shumë të panjohura.

“Kur e pezulluam stinorin, ideja ishte të rinisnim garat pas 30 ditëve, pasi nuk kishte një perceptim të përhapjes së madhe në vend. Silver ka thënë se liga është në bisedime me lojtarët dhe klubet për rinisje të stinorit, por është herët të merret një vendim”, ka thënë Silver.