Sport

Totti i emocionuar: I frikësohem të ardhmes

Francesco Totti është përshëndetur nga futbolli aktiv me një fjalim prekës duke thënë se “i frikësohet të ardhmes”.

Legjenda romake u përshëndet me tifozët dhe klubin pas fitores 3 me 2 ndaj Genoas në xhiron e fundit të sezonit.

“Momenti erdhi. Fatkeqësisht, momenti që shpresoja të mos arrinte kurrë erdhi. Gjatë ditëve të fundit më keni thënë shumë gjëra të mrekullueshme. Po më jepni përkrahje në momente kaq të vështira andaj shumë faleminderit të gjithëve”, ka thënë ai në fjalimin e tij para tifozëve.

“Kam qarë, sikur i çmendur! Nuk mund të harroni 25 vjet si këto. Nuk mund të flas shkurt për 28 vjet. Do të doja ta bëja me një këngë apo poezi, por s’jam i mirë në to. Jam përpjekur të përshëndetem me këmbët e mija, sepse kjo më dukej më lehtë. Më vjen keq nëse gjatë kohëve të fundit s’kam qartësuar mendimet e mija, por nuk ishte e lehtë të largohem. Tani po frikësohem. Është sikurse kur je para golit kur ke për të gjuajtur penaltinë. Këtë herë nuk po shoh se çfarë po më pret në të ardhmen. Këtë herë kam nevojë për ju dhe përkrahjen tuaj. Atë që më keni dhuruar gjithmonë. Të lindësh romak është privilegj. Të jesh kapiten i këtij ekipi është nder”, ka deklaruar ai.