Sport

Angazhimi i karateistit Karaqi për të infektuarit me koronavirus

Descriptive Text

Karateisti Alvin Karaqi ishte përgatitur maksimalisht për turneun kualifikues për Lojërat Olimpike, në Paris. Por, ky turne dhe kampionati evropian në Azerbajxhan, i paraparë të mbahej javë më parë, janë shtyrë në një afat të pacaktuar, shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Ai ishte optimist se do të arrinte edhe rezultate të mira. “Jam përgatitur shumë për këtë evropian falë stërvitjeve me trajnerin Bekë Bekteshi dhe në fund edhe me Elson Kabashin. Kam qenë optimist”, thotë Karaqi të dielën në një intervistë dhënë për emisionin sportiv të KTV-së “Sportit Total”.

Megjithatë, karateisti 27-vjeçar, që gjendet në Zvicër për specializim në fushën e mjekësisë, është në vijën e parë të frontit me personat e infektuar nga COVID-19, në një nga spitalet e shtetit “helvetik”.

“Në Zvicër, ka filluar të ndihet koronavirusi disa javë më herët se në Kosovë. Pasi janë anuluar operimet efektive, jemi fokusuar të gjithë në mjekimin emergjent. Në fillim kam qenë në front me pacientët e dyshuar për COVID-19 dhe i kam marrë mostrat për testim. Tani testet kryhen para hyrjes së Spitalit dhe ne pranojmë rastet e rënda, si dhe gjithë pacientët e sëmundjeve të tjera”, ka thënë Karaqi është shprehur Karaqi.

Karaqi sa ishte pjesë e Kosovës ka shënuar disa rezultate të mira në sportin e karatesë. Por, ai pak kohë më parë për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Federatën e Karatesë së Kosovës, vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë. Ai është nënkampion i Evropës për U-21, kampion Evrope për universitetet, i treti në Mesdhe për senior, i treti në botë për Universitete. Ai para lëndimit ka qenë i treti edhe në ranglistën botërore, dy herë është kualifikuar për Lojërat Evropiane si karateist i “Top 8”. Synimi i tij është ta fitojë normën olimpiket për Lojërat Olimpike që do të mbahen verën e vitit të ardhshëm.