Sport

Lojtarëve u kërkohen kontrolle të detajuara mjekësore pas koronavirusit

Foto: Reuters

Lojtarët që kanë qenë të prekur me COVID-19 duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara mjekësore, pasi kreu i departamentit mjekësor pranë Komitetit Olimpik të Italisë (CONI) ka thënë se koronavirusi mund të dëmtojë si zemrën ashtu edhe mushkëritë.

Italia duket se ka arritur majën e pandemisë dhe numrat me raste të reja, vdekje dhe shtrirje në kujdes intenziv po vazhdojnë të zbresin në ditët e fundit.

Kjo nënkupton se kanë nisur të bëhen planet se si të kthehet sporti, ku po qarkullon data 20 maj, si datë e mundshme e kthimit. Por, efektet e virusit ende nuk janë të kuptueshme plotësisht, veçanërisht për sportistët.

“Ata që janë testuar pozitiv me koronavirus duhet të kenë kontrolle të plota mjekësore para se të marrin leje për t’iu kthyer aktiviteteve fizike”, ka thënë Antonio Spataro për “Il Giornale”.

Ai ka qenë drejtor i Institutit të Mjekësisë për Sport në CONI që nga viti 2013. .

“Ne duhet të shikojmë nëse dhe si ka ndikuar virusi në fizikun e sportistit. Është masë parandaluese, por edhe për të larguar çdo dyshim. Duhet t’u nënshtrohen testeve të detajuara. Çështja është se COVID-19 mund të ndikojë si në aktivitetin kardiak e deri te funksioni respirator. Lojtarëve u duhet një specialist në mjekësinë sportive për t’u bërë testet e plota”, ka thënë Spataro.

Disa lojtarë kanë rezultuar me koronavirus, në mesin e tyre treshja e Juventusit, Paulo Dybala, Blaise Matuidi e Daniele Rugani, ndërsa një numër prej tyre u larguan nga Italia para se të mbyllet vendi. Ata që janë larguar duhet të qëndrojnë në karantinë së paku 14 ditë.

“Zhvillimi i ndeshjeve pa shikues nuk mjafton, siç kemi parë tashmë, pasi ka prapë kontakt mes lojtarëve”, ka deklaruar Spataro.