Sport

Futbollistët e Amerikës së Jugut kërkojnë pagë të plotë në kohën e koronavirusit

Yjet e futbollit në disa liga të mëdha të Evropës po marrin shkurtime të thella pagash mes pandemisë së koronavirusit, por në Amerikën e Jugut, ku shumica e klubeve dhe lojtarëve nuk janë aq të pasur, futbollistët vendas duan që t’u tregohen paratë. Dhe, atë të gjitha paratë.

Në Brazil dhe Argjentinë, lojtarët nuk po lejojnë uljen e pagave, përkundër shkurtimeve në stafin dhe faturat e pagave në ligat e tjera vendase, ndërsa sezoni është pezulluar, shkruan AP.

Në Brazil, negociatat midis një shoqate të klubeve dhe sindikatës së lojtarëve rezultuan pa ndonjë marrëveshje mbi pagat dhe pushimet e hershme. Tani kapitenët e ekipit dhe drejtuesit po përpiqen të marrin vendime individuale që analistët ligjorë presin të përfundojnë nëpër gjykata.

Vendi më i madh i Amerikës së Jugut ka regjistruar më shumë se 240 vdekje që janë të lidhura me virusin COVID-19, dhe stadiumi “Pacaembu” në Sao Paulo tashmë është shndërruar në një spital për të trajtuar rastet më të buta që pritet të dalin gjatë këtyre javëve, transmeton KOHA.

Në fakt, në Brazil nuk ka pasur ndeshje profesionale të futbollit tashmë dy javë për shkak se kampionati është pezulluar shkaku i përhapjes së koronavirusit. Ideja e parë nga klubet elitare të Brazilit ishte për një ulje pagash prej 25% për lojtarët deri në fund të pandemisë.

Madje, edhe drejtuesit e klubeve më të pasura kanë frikë se pezullimi i sezonit do t’i largojë sponsorët dhe borxhet vetëm do të rriten. Por lojtarët, përfshirë ata që janë paguar vonë në të kaluarën, nuk kanë lëshuar rrugë dhe kanë kërkuar mbikëqyrjen e konfederatës kombëtare të futbollit. Sindikata dha disa arsye për sa u përket pushimeve të hershme. Deri më tani, konfederata e futbollit brazilian nuk ka ndërhyrë.

Ish-lojtarët, drejtuesit dhe trajnerët thanë se ishin frymëzuar nga shembulli i të Argjentinës së Madhe Lionel Messi, i cili mori një ulje prej 70 për qind të pagës së tij për të ndihmuar që Barcelona të mbante stafin e saj gjatë pandemisë në Spanjë. Por zërat që ata po dëgjojnë në Brazil tingëllojnë më shumë si ai i Guilherme Arana i ekipit të Atletico Mineiros.

“Unë nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të pranuar uljen e pagës. Ne jemi ndalur dhe nuk po luajmë për shkak se jemi detyruar”, tha Arana 22-vjeçar, për pezullimin e kampionatit.

Muajt e parë të këtij viti, Arana i kaloi në Atalanta të Italisë, pranë pikës qendrore evropiane të koronavirusit.

“Bota është ajo që po ndalet”, insistoi Arana.

Atletico Mineiro njoftoi ditë më parë se do të ulë pagat për 25 për qind, me përjashtim të stafit që merr paga më të ulëta.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.