Sport

Sportistëve të Kosovës ka nisur t’u soset durimi

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Atletët e klubit më të suksesshëm në Kosovë, Rogana, ka javë që po stërviten në një terren të ngushtë dhe të mbuluar me borë në lartësi mbidetare mbi 600 metra, në malet e fshatit Roganë të Kamenicës.

Shumë sportistë të tjerë, të sporteve të ndryshme, po vazhdojnë të stërviten në hapësira të ngushta e të improvizuar për ta mbajtur formën fizike gjatë këtij izolimi të detyrueshëm pas përhapjes së pandemisë të koronavirusit në të gjithë botën, transmeton KOHA.

Pamundësia për t’u stërvitur në kushte normale tashmë u është kthyer në monotoni sportistëve. Këtë e pranojnë edhe vetë trajnerët e tyre.

“Vështirësitë janë evidente, pasi është shumë më vështirë të stërvitet në terrene malore me stërvitjet në shtigjet e atletikës. Terreni ku ne stërvitemi është me pisha dhe gjendet në një lartësi mbidetare mbi 600 metra. Sidoqoftë, duhet ta mbajmë formën”, ka thënë trajneri i klubit Rogana, Zijadin Kryeziu.

Edhe pse nuk janë ndalur, Kryeziu thotë se është një sfidë tejet e vështirë për atletët e tij për t’u stërvitur në këtë mënyrë gjatë kësaj situate të krijuar nga koronavirusi.

“Nuk duhet të ndalemi, por të vazhdojmë me kujdes të shtuar, dhe me disiplinë intensive do ta kalojmë këtë fazë të vështirë”, ka theksuar Kryeziu.

Ftesë për të mos u ndalur kanë bërë edhe trajnerët e klubeve të futbollit, basketbollit, hendbollit dhe sporteve të tjera. Megjithatë, ata pranojnë se sportistëve ka nisur t’u soset durimi. Koha e izolimit dhe stërvitjeve individuale në kushte të vështira dhe të improvizuara, gjithnjë e më shumë po bëhet monotone.

“Ekipi po stërvitet në mënyrë individuale sipas programit që ua kam dërguar. Por, ka filluar t’u bëhet monotoni lojtarëve seanca vetëm në vrapime. Dhe, tash do ta kemi problem edhe t’i menaxhojmë lojtarët dhe shumë vështirë edhe t’i motivojmë të punojnë, sepse futbolli kërkon stërvitje kolektive dhe jo individuale”, është shprehur trajneri i klubit Llapi, Tahir Batatina.

Edhe trajneri i liderit të Superligës, Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se sa më shumë që zgjat kjo situatë, më vështirë për gjithë. Madje, ai vë në dyshim edhe kthimin në fushë të lojtarëve pas rifillimit të Superligës, ndonëse nuk ka një datë të caktuar.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.