Sport

Edhe i treti në Superligën e Kosovës mund të dalë në Evropë

Descriptive Text

Gjilani është aktualisht në pozitën e tretë në Superligën e Kosovës në futboll.

Nëse skuadra gjilanase përfundon në këtë pozitë kampionatin dhe nëse gara për Kupë të Kosovës nuk vazhdon më, atëherë Gjilani do të sigurojë të drejtën e paraqitjes në kualifikimet e Ligës së Evropës, raporton Koha.net.

Aktualisht është në fuqi vendimi që kampioni i Kosovës në futboll të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa nënkampioni dhe fituesi i Kupës në kualifikimet e Ligës së Evropës. Për herë të parë Kosova do të ketë tri skuadra në Evropë, edicionin e ardhshëm.

Futbolli në Evropë aktualisht është i pezulluar për shkak të koronavirusit. Nuk ka vendim se kur mund të vazhdojnë garat. Me shumë mundësi kampionatet nacionale, por edhe Kupat Evropiane, do të zhvillohen gjatë tërë verës.

Të mërkurën një video-konferencë me UEFA-n e kanë mbajtur sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave nacionale të Konfederatës Evropiane. Nuk është njoftuar nga UEFA apo FFK-ja për ndonjë vendim lidhur me garat e kupave nacionale, përkatësisht Kupës së Kosovës.

BBC të enjten ka shkruar se nëse eventualisht garat për kupë anulohen, atëherë UEFA vendin në Evropë do t’ia bartë skuadrës me rangimin më të lartë në ligë.

Në rastin e Kosovës, nëse tabela nuk ndryshon, kjo do të nënkuptonte se Ballkani do të luante në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa Drita e Gjilani në kualifikimet e Ligës së Evropës.

“Vendet anëtare të UEFA-s kanë shprehur synimin për të përfunduar edicionin 2019\2020, në konferencën e mbajtur të mërkurën. Por, pa ndonjë ide se kur është i mundur vazhdimi i garave, nuk mund të thuhet me siguri nëse garat e kupës së këtij edicioni do të përfundojnë. UEFA u ka thënë federatave nacionale se për çdo garë që nuk përfundon, vendet për kupa evropiane do të jepen në bazë të pozitave në ligë”, ka shkruar BBC të enjten.

Në Kosovë, kanë mbetur të zhvillohen edhe plot 11 xhiro të Superligës. Pra e tërë faza e tretë. Ndërkohë kanë mbetur të zhvillohen edhe gjysmëfinalet e Kupës dhe finalja. Gjysmëfinalja luhet në dy ndeshje. Ndeshjet e para është planifikuar të luhen më 8 prill, ndërsa të kthimit më 22 prill. Ndeshjet e para do të shtyhen përfundimisht e me shumë mundësi edhe ato të kthimit.

Në edicionet e kaluara kampioni është kualifikuar në Ligën e Kampionëve, ndërsa fituesi i Kupës në Ligën e Evropës.

Në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës duhet të takohen Prishtina me Drenicën dhe Ballkani me Feronikelin. Dalja në Evropë vlerësohet me peshë shumë të madhe për skuadrat kosovare, para së gjithash për shkak të fondit financiar të garantuar.