Sport

Ndalohet basketbolli në lagjet amerikane, mbi 1700 kosha largohen në New York

Nuk ka basketboll nëpër fusha publike në New York. Nuk ka lojë 3 kundër 3 apo 5 kundër 5 në fushat në Indiana.

Basketbolli në SHBA kurrë nuk ndalet, me përjashtim nëse shpërthen ndonjë pandemi, shkruan “USA Today”.

Nëpër SHBA, parqet dhe qendrat rekreative kanë mbyllur fushat shkaku i shpërthimit të koronavirusit. Madje janë marrë edhe masa ekstreme, si heqja e koshave, lidhja e rrjetës për rrethi të koshit apo edhe vendosja e ndonjë druri sipër rrethit.

Në New York City, 138 fusha publike janë bllokuar duke hequr koshat. Raportohet se mbi 1700 kosha janë larguar vetëm në New York.

“New York City është një qytet krenar i basketbollit, dhe kurrë nuk do të largonim koshat po të mos ishte e nevojshme”, ka thënë komisari i Parqeve të New York Cityt, Mitchell Silver. “Duke reaguar ndaj ndalesës shtetërore ndaj tubimeve dhe lojës në grup, qyteti i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të New Yorkut që të mbajnë distancën sociale. Por, pasi njerëzit vazhdonin të luanin, u desh të merrej masa drastike nëpër 138 fusha nëpër qytet dhe do të vazhdojmë edhe më tutje nëse është e nevojshme”.

Storie të ngjashme janë edhe nëpër qytetet tjera në SHBA. Në Virginia rrjetat janë lidhur për rrethi të koshit, në Fort Worth të Teksasit, rrathët janë larguar, fushat në San Diego e New Orleans janë mbyllur, transmeton Koha.net.

Louisiana dhe New Orleans ka parë një numër të rritjeve në raste me koronavirus.

SHBA-ja ndërkohë po kryeson në listën e vendeve me më së shumti të infektuar me koronavirus.