Sport

Evropiani në futboll për femra do të shtyhet për një vit

Kampionati Evropian në futboll për femra i paraparë të mbahet në Angli vitin e ardhshëm, do të shtyhet për një vit shkaku i koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Danimarkës në faqen zyrtare, transmeton Koha.net.

Turneu me 16 përfaqësuese ishte paraparë të shtyhej, pasi që Evropiani i meshkujve dhe Lojërat Olimpike në Tokio, të parapara të mbaheshin këtë vit, janë shtyrë për vitin e ardhshëm shkaku i virusit.

Konfederata e Futbollit të Evropës (UEFA) dhe Federata e Futbollit të Anglisë (FA) nuk kanë konfirmuar ende shtyrjen, por Federata e Futbollit të Danimarkës ka njoftuar se vendimi është marrë gjatë video-konferencës së UEFA-s me përfaqësues të 55 federatave anëtare të saj.

Kualifikimet për Evropianin e femrave janë prekur nga pezullimet shkaku i koronavirusit, ndërsa UEFA ka konfirmuar se gjitha ndeshjet e përfaqësueseve në qershor janë shtyrë.

Tri skuadra të Evropës – Holanda, Anglia dhe Suedia – janë kualifikuar për Lojërat Olimpike në Tokio, pasi kanë përfunduar si tri përfaqësueset më të mira evropiane në Kupën e Botës në Francë vitin e kaluar.