Sport

Skuadra e Premier Leagues do të dënojë kapitenin që nuk iu përmbajt izolimit

Aston Villa ka lëshuar të hënën një komunikatë në të cilën ka bërë të ditur se do të merren masa ndaj futbollistit Jack Grealish.

Grealish, që është kapiten i skuadrës, ka thyer rregullat e izolimit për të marrë pjesë në një festë.

“Aston Villa është thellë e dëshpëruar që një prej lojtarëve të klubet ka injoruar këshillën e qeverisë për të qëndruar në shtëpi gjatë krizës së koronavirusit”, thuhet në komunikatën e Aston Villas.

“Kapiteni i klubit, Jack Grealish, ka pranuar se vendimi i tij për të dalë nga shtëpia ishte i gabuar dhe plotësisht i panevojshëm. Ai ka shkelur këshillat e qeverisë që janë të qarta dhe duhet të respektohen nga të gjithë. Lojtari do të disiplinohet dhe do të gjobitet. Të ardhurat nga gjoba do të dhurohen për bamirësi”, ka njoftuar Aston Villa.

Aston Villa është e parafundit në Premier League.

Mediat në Angli kanë raportuar se Grealish ka pasur një aksident me veturë pas festës në të cilën mori pjesë, në kohë izolimi. Është raportuar se ai ka shkatërruar veturën e tij Range Rover, me vlerë prej 80 mijë funte. Pak orë para aksidentit, Grealish kishte kërkuar nga tifozët e skuadrës që të rrinë në shtëpi. Ai ka kërkuar falje për incidentin.