Sport

Peshqiri që e mbajti Bryanti në shpatulla gjatë fjalimit përshëndetës shitet mbi 30 mijë dollarë

Descriptive Text

Peshqiri që legjenda e basketbollit Kobe Bryant e kishte në shpatulla gjatë fjalimit të mbajtur pas ndeshjes së fundit të karrierës në NBA në vitin 2016, së bashku me biletat për ndeshjen finale të Bryantit, janë shitur të dielën në një ankand virtual për më tepër se 30 mijë dollarë, shkruajnë mediumet amerikane, transmeton Koha.net.

Bryant, dhe vajza e tij 13-vjeçare Gianna, ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën më herët këtë vit kur helikopteri me të cilin udhëtonin u rrëzua në Calabas të Kalifornisë.

Që nga atëherë, gjërat me vlerë të fituesit të pesë titujve të NBA-së janë paraqitur në uebfaqe të ankandeve.

Gjatë ndeshjes së fundit të karrierës në NBA me Los Angeles Lakersin, të cilën e luajti më 13 prill të vitit 2016, Bryant shënoi 60 pikë.

Derisa Bryanti po largohej nga parketi pas fjalimit, një tifoz ia mori peshqirin që ai e kishte në shpatulla. Tifozi e kishte shitur peshqirin në një ankand në vitin 2016 për 8365 dollarë.

Muajin e kaluar, pronari i ri i peshqirit kontaktoi Iconic Auctions, një kompani me seli në Arizonë e specializuar për origjinalitet të autografeve dhe gjërave me vlerë, për të rishitur peshqirin. Të dielën, peshqiri, së bashku me dy bileta nga ndeshja e fundit e Bryantit, u shitën për 33.077 dollarë, sipas Jeff Woolfit, presidentit të Iconic Auctions.