Sport

Xavi i gatshëm ta drejtojë Barcelonën

Foto: Reuters

Mesfushori legjendar Xavi Hernandez ka shprehur dëshirën që të marrë postin e trajnerit të Barcelonës, vetëm dy muaj pasi e refuzoi këtë mundësi.

Xavi beson se tash është i gatshëm për të marrë drejtimin e Barcelonës, por ka insistuar se nuk mund të jetë asnjë person helmues në zhveshtore, nëse ai merr drejtimin e klubit.

“Jam i qartë se dua të kthehem te Barcelona. Tash që kam bërë përvojë si trajner, besoj se mund të sjelli përvojë te lojtarët. Por, unë kam qenë i qartë se e shoh veten në një projekt që nis nga zero dhe në të cilin vendimmarrja është e imja”, ka thënë Xavi për “La Vanguardia”, transmeton Koha.net. “Unë dua të punoj me njerëz tek të cilët kam besim, të cilët janë besnikë dhe të vlefshëm. Nuk mund të jetë asnjë person helmues rreth zhveshtores”.

Xavi 40-vjeçar kaloi 18 vjet të karrierës si futbollist profesionist te Barcelona, duke luajtur mbi 700 ndeshje për klubin.

Ish-reprezentuesi i Spanjës fitoi 25 trofe gjatë kohës së tij te Barcelona – përfshirë tetë herë La Ligan dhe katër herë Ligën e Kampionëve – dhe është vlerësuar si një prej mesfushorëve më të mirë të gjeneratës së vet.

Ai po ashtu me Spanjën fitoi tre tituj rresht, dy herë Evropianin dhe po ashtu Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut.

Xavi u largua nga Barcelona për të vazhduar karrierën në Katar te Al Saad në vitin 2015. Te ky klub luajti katër vjet para se të merrte postin e trajnerit të klubit.

Barcelona kishte insistuar të kthente Xavin në janar, por ai refuzoi dhe në krye u emërua Quique Setien.

Xavi po ashtu ka treguar se kë do të pëlqente të transferonte nëse merr drejtimin e Barcelonës. Ai nuk e sheh Neymarin si përforcim ideal.

“Nuk e di nëse Neymar do të ishte i përshtatshëm për shkak të çështjes sociale, por në aspektin e futbollit, nuk kam dyshime se ai do të ishte transferim spektakolar. Barcelona nuk ka nevojë për shumë lojtarë të rinj: ndoshta Jadon Sanchon e Serge Gnabryn”, ka thënë Xavi.