Sport

Agim Ademi flet për dënimin me burg efektiv, thotë se është ankuar në Supreme

Descriptive Text

Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për herë të parë ka folur për dënimin e tij me 9 muaj burg efektiv nga Gjykata e Apelit, e cila e vërtetoi dënimin e Themelores për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Në një intervistë ekskluzive për “Sportin në KTV”, Ademi ka thënë se dënimi i tij nuk ka të bëjë me futbollin, si dhe zbulon se ka bërë ankesë në Gjykatën Supreme.

Ai theksoi se çdo ditë është në Prishtinë, duke e kryer punën e tij, dhe megjithëqë kaluan 24 ditë që nga publikimi i vendimit nga gjykata e shkallës së dytë, nuk frikësohet se mund të arrestohet.

I pari i FFK-së premton se nëse edhe Supremja vendos kundër tij, nuk do ta ngrijë postin e kryetarit, por do të lëshojë rrugë.

Ademi theksoi se UEFA e ka mbështetur që të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, kurse krahasimet me dënimet e Blaterit dhe Platinisë i konsideron të paqëndrueshme.

Sipas tij, dikush i është gëzuar dënimit të tij. Ai ka edhe një mesazh për opozitën, të cilën e konsideron në numër të vogël.

Ademi i ka falënderuar të gjithë për përkrahjen, e cila, sipas tij, ka ardhur si rezultat i punës së mirë që ka bërë.

Ndër të tjera, 58-vjeçari ka folur edhe për situatën e krijuar në futbollin e Kosovës, pas pezullimit të të gjitha ndeshjeve shkaku i koronavirusit.

Ademi ka pohuar se FFK-ja i ka ndihmuar klubet me mjetet financiare, si dhe e ka hartuar edhe një plan të veprimit duke siguruar sasi të miellit, nëse dikush nga sportistët ka nevojë për ndihmë.

Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës beson se nëse nuk ka rritje të numrit të të infektuarave, atëherë shumë shpejt mund të rikthehet futbolli i Kosovës.

Ai beson se edhe ndeshja kundër Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet në fillim të muajit qershor.

Madje, për t’i ndihmuar lojtarët, FFK-ja kishte planifikuar edhe aeroplan privat.

Kryetari i FFK-së u është përgjigjur kritikave për zhvillimin e ndeshjes Kosovë – Rusi në Gjermani. Sipas tij, vendimi ka qenë i UEFA-s, e cila i ka hequr edhe të gjitha shpenzimet financiare.

Agim Ademi është në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës që nga 6 korriku i vitit 2018. Ai u zgjodh në krye të FFK-së pas vdekjes së Fadil Vokrrit.