Sport

Kampioni i botës po përballet me akuza të rënda

Foto: Reuters

Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks Tyson Fury po përballet me akuza të rënda.

“The Mail on Sunday” raporton se një anëtar i stafit të Furyt i ka ofruar një fermeri 25 mijë funte për të gënjyer se si Fury ka dështuar në test dopingu në vitin 2015. Karriera e Furyt në boks po rrezikohet, sipas mediumit anglez.

Bëhet fjalë për testet pozitive të dopingut të Furyt dhe kushëririt të tij Hughiet në shkurt të vitit 2015. Ata kishin dal pozitiv me steroidin nandrolone. Kishin fajësuar se kanë dal pozitiv pasi kanë ngrënë derr të egër të pa kastruar e po ashtu edhe marrje të suplementeve të kontaminuara.

Ata morën suspendim dyvjeçar ndërsa u rikthyen në dhjetor të vitit 2017. U bë e mundur kthimi i Tyson Furyt në boks, që rezultoi edhe me fitoren e titullit WBC muajin e kaluar kur e mposhti amerikanin Deontay Wilder me nokaut teknik në raundin e shtatë.


Një fermer nga Lancashire, Martin Carefoort ka rrëfyer se i ishte thënë nga anëtarët e stafit të Furyt të gënjente se ka furnizuar Furyt me derra të egër. Por, ai insiston se nuk i ka furnizuar.

Po ashtu ai ka thënë se i ishte premtuar një shpërblim 25 mijë funte për këtë, por nuk u pagua fare.

Agjencia Britanike e Anti-Dopingut (UKAD) ka thënë se gjithmonë do të shikohen dëshmi të reja.

“Ne gjithmonë shikojmë dëshmi të reja në lidhje me një shkelje të rregullave të anti-dopingut. Do të nisin hetimet kurdo që e shohim se është e nevojshme. Nëse ndonjëri ka informata që janë në interes tonë apo të hetimeve, atëherë mundet të paraqitet te agjencia”, është thënë në një komunikatë të UKAD-it.

Promotori i Furyt, Frank Warren i ka quajtur gënjeshtra deklaratat e fermerit.


“Ky njeri më shkroi një letër në tetorin e vitit të kaluar, me plotë gabime, duke kërkuar para. Unë i thash të qartësojë situatën me UKAD-in. Por, ai i ka shitur storien një gazete. Tysoni kurrë nuk e ka takuar këtë njeri dhe është gënjeshtër”, ka thënë Warrën për “SunSport”.