Sport

FHK kërkon shtyrjen e ndeshjeve me Bjellorusinë

Foto: FHK

Federata e Hendbollit të Kosovës ka kërkuar nga Federata Evropiane e Hendbollit që të shtyhen ndeshjet kualifikuese mes hendbollistëve të Kosovës dhe të Bjellorusisë shkaku i koronavirusit.

Ndeshja e parë mes përfaqësueseve është paraparë të luhet më 25 mars në Prishtinë, kurse e dyta më 29 mars në Minsk.

“Federata e Hendbollit të Kosovës ka sugjeruar dhe ka kërkuar nga EHF-ja që të shtyhen ndeshjet kualifikuese në mes të Kosovës dhe Bjellorusisë (femrat) për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Ndeshja Kosova - Bjellorusia është caktuar të luhet më 25 mars në Prishtinë kurse një ndeshje tjetër është planifikuar për në Minsk më 29 mars.
FHK-ja është në komunikim intenziv me EHF-në dhe pritet që të aprovohet kërkesa jonë. Nëse kërkesa aprovohet, ndeshjet luhen në javën e parë të qershorit”, është shkruar në komunikatë të FHK-së.

Ndeshjet janë të vlefshme për Evropianin e hendbollit të femrave këtë vit.