Sport

Hamilton i shokuar që po mbahet gara e Formula 1 në Australi

Foto: Reuters

Kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton ka thënë të enjten se është i shokuar që gara e parë e stinorit në Australi do të mbahet sipas planit, përkundër rrezikut nga koronavirusi.

Ai ka thënë se organizatorët e kanë vendosur shqetësimin financiar para shëndetit të njerëzve.

Kampioni i gjashtëfishtë i Formula 1 ka deklaruar ndryshe nga pilotët tjerë, që kanë thënë se janë komod me sigurinë që kanë marrë nga Federata Botërore e Automobilizmit (FIA).

“Jam vërtetë shumë i befasuar që jemi këtu. Është fenomenale që kemi gara, por për mua është shokuese që të gjithë po qëndrojmë ulur në një dhomë. Ka shumë tifozë këtu qysh sot. Duket se pjesa tjetër e botës po reagon, ndoshta pak me vonesë. Këtë mëngjes kemi parë presidentin e SHBA-së, Donald Trump duke mbyllur kufijtë nga Evropa...kemi parë ligën NBA të pezullohet, por Formula 1 po vazhdon”, ka thënë Hamilton, përcjell agjencia Reuters, transmeton Koha.net.