Sport

Gjimshiti pjesë e rëndësishme e rrugëtimit përrallor të Atalantas

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti me Atalantan po vazhdon me befasi në Ligën e Kampionëve.

Atalanta në debutimin e saj në Ligën e Kampionëve ka arritur në çerekfinale.

Gjimshiti është pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi përrallor të klubit nga Bergamo.

Atalanta në 1/8 e finales të martën mbrëma e eliminoi Valencian, duke e mposhtur me rezultat të përgjithshëm 8:4 pas dy përballjeve. Në ndeshjen e kthimit të martën në udhëtim fitoi 4:3, ndërsa ndeshjen e parë në shtëpi e kishte fituar 4:1.

Gjimshiti ishte titullar në këtë takim. Për të ka qenë ndeshja e pestë e luajtur në Ligën e Kampioënve. E në total ai ka luajtur 28 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa ka shënuar një gol e asistuar një tjetër.

“Ndoshta nga ata jashtë mund të duket si përrallë. Por, për ne futbollistët nuk është ashtu. Kurrë nuk kam stërvitur aq fortë si këtu te Atalanta. Ka stërvitje, ku vrapoj më tepër se tetë kilometra”, kishte thënë Gjimshiti muajin e kaluar në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”.

Para dy vjetëve Gjimshiti dukej se nuk kishte të ardhme te Atalanta. Atij i kishte përfunduar huazimi te Benevento dhe Atalanta nuk po mendonte ta rikthente. Por, Gjimshiti tash është bërë shtyllë e rëndësishme e klubit nga Bergamo.

Atalanta ndeshjet si vendas po i luan në stadiumin San Siro në Milano. Rajoni i Lombardisë është goditur më së rëndi në Itali nga koronavirusi.

Me të arritur kualifikimin historik, futbollistët e Atalantas para kamerave televizive pas ndeshjes në “Mestalla” kanë veshur fanellat me mesazhin: “Bergamo, është për ty. Mos u dorëzo!”

Ndeshja në Valencia u luajt pa praninë e tifozëve.

“Ne jemi shumë të lumtur që kemi përfaqësuar rajonin që në këtë periudhë po vuan shumë. Ne do të festojmë së bashku në qershor. Të gjithë të bashkuar, do të mposhtim këtë virus”, ka thënë trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini pas ndeshjes.