Sport

Lloris shpreson në lojë të madhe kundër Leipzigut

Portieri francez i Tottenhamit, Hugo Lloris po shpreson në një ndeshje të madhe ndaj RB Leipzigut të martën mbrëma dhe kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Tottenhami ka pësuar 1:0 në shtëpi në ndeshjen e parë të 1/8 së finales, ndërsa të martën mbrëma luan ndeshjen e kthimit.

Tottenhami stinorin e kaluar bëri një rikthim të madh kundër Ajaxit dhe siguroi biletën për në finale.

Në finale Tottenhami pësoi 2:0 nga Liverpooli.

“Ne duhet të marrim çdo gjë pozitive, por duhet të shkruajmë storie të reja. Ne duhet të dalim dhe të bëjmë një lojë perfekte. Duhet të shkojmë të fitojmë ndeshjen. Është kaq e thjeshtë. Por, kemi përballë një kundërshtar shumë të mirë. Nuk është befasi që po lufton për titull në Bundesligë”, ka thënë Lloris në konferencë për media.

Tottenhami zë vendin e tetë në Premier League me 41 pikë nga 29 ndeshje. Është shtatë pikë larg pozitës së katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.

“Ne duhet të kemi besim në vete. Po shihet se lojtarët po luftojnë dhe po japin më të mirën nga vetja. Ne duhet të përfundojmë stinorin sa më mirë që të mundemi”, ka thënë Lloris.