Sport

Ronaldinho po hetohet edhe për krime tjera

Descriptive Text

Ish-futbollisti më i mirë në botë Ronaldinho po hetohet për krime tjera nga autoritetet e Paraguait, ka njoftuar prokurori që po merret me rastin, shkruan agjencia Reuters të dielën, transmeton Koha.net.

Ronaldinho po mbahet në burg në Paraguai pasi ishte kapur me pasaportë fals.

Prokurori Omar Legal nuk ka qartësuar se për çfarë krime bëhet fjalë, por uebfaqja “Globoesporte” ka thënë se ka indikacione se janë bërë krime tjera nga Rolandinho dhe vëllai i tij Roberto Assis.

Ronaldinho dhe Roberto mbesin në paraburgim në Paraguai pasi u kapën me pasaporta false.

Gjykatësi urdhëroi që të mbesin në paraburgim derisa të përfundohen hetimet. Sipas ligjit paraguaian, zyrtarët kanë gjashtë muaj për të kompletuar hetimet e tyre.

Ata kanë kaluar të premten dhe të shtunën mbrëma në një qeli të një burgu të sigurisë maksimale.

Të dielën ishte ditë e vizitave në burg dhe Globoesporte ka njoftuar se vëllezërit kanë qëndruar në qeli për të evituar vëmendjen nga familjet dhe fëmijët që kanë vizituar të burgosurit tjerë.

Ronaldinho ishte ftuar në Paraguai nga pronari i një kazinoje lokale dhe kishte arritur të mërkurën për të udhëhequr një klinikë futbolli për fëmijët dhe për promovimin e një libri.

Ai ishte pritur në aeroport në Asuncion nga shumë tifozët.

Por, në hotel autoritetet kishin kontrolluar dhe zbuluar pasaportat false të Ronaldinhos dhe vëllait të tij. Pasaportat e Paraguait ata kishin insistuar se iu dhanë në aeroport si dhuratë.