Sport

Guardiola i kënaqur me përformancën

Foto: Reuters

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se është i kënaqur me përformancën e skuadrës së tij, ani pse City pësoi humbje 2:0 në “Old Trafford” të dielën në derbin e qytetit ndaj Manchester Unitedit.

“Ne kemi luajtur mirë. Na mungoi pak saktësia në sulm, por në pjesën e dytë ishim më mirë dhe ishte përformancë e mirë. Ne kemi luajtur në mënyrën e njëjtë, jemi munduar të bëjmë presion dhe të mbrohemi mirë. E kemi bërë mirë këtë. Ne bëmë lojën tonë, por për fat të keq pranuam një gol në pjesën e parë. Ata prisnin për gabimet tona”, ka thënë Guardiola për “Sky Sports”, transmeton Koha.net.

Guardiola nuk ka dashur të fajësojë portierin brazilian Ederson për gabimet e bëra. Anthony Martial dhe Scott McTominay shënuan golat për Unitedin.

“Ai ka pritur një apo dy gjuajtje, është një portier i jashtëzakonshëm. Nuk gjykoj lojtarët e mi, gabimet janë pjesë e lojës. Ai do të marrë veten dhe është një portier i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Guardiola.

City ka 57 pikë pas 28 ndeshjeve dhe zë vendin e dytë. Është 25 pikë larg Liverpoolit që kryeson. Liverpoolit i duhen vetëm edhe dy fitore për të fituar titullin.