Sport

Ndeshja Parma – SPAL nisi me 75 minuta vonesë

Ndeshja e Serie A mes Parmës dhe SPAL-it nisi me 75 minuta vonesë, pas kërkesës së ministrit të sportit që liga të pezullohet menjëherë për shkak të përhapjes së koronavirusit, njoftojnë mediumet italiane, transmeton Koha.net.

Ndeshja ishte paraparë të fillonte nga ora 12:30, por lojtarëve iu tha të kthehen në zhveshtore.

Ajo nisi në ora 13:45, ndërsa SPAL e fitoi me rezultatin 1:0.

Të dielën, deri në 16 milionë njerëz janë vendosur në karantinë në Itali.

Italia ka numrin më të madh të rasteve me koronavirus në Evropë dhe të shtunën raportoi për një rritje të madhe të personave të infektuar.


Numri i të vdekurve ka arritur në 230 sosh.

Italia mori vendim pak ditë më parë që gjitha aktivitetet sportive në Itali të luhen pa shikues deri më 3 prill.

Të shtunën, Damiano Tommasi, presidenti i Unionit të Lojtarëve të Italisë (AIC) ka bërë thirrje që futbolli të pezullohet në Itali.


Të njëjtën thirrje ka bërë të dielën edhe Ministri i Sportit të Italisë, Vincenzo Spadafora.