Sport

Kosova i ka dhënë forcë Veliut që ta harrojë lëndimin

Foto: FC Llapi

Përkrahja e madhe që mori pas lëndimit të rëndë, e sidomos debutimi me Kombëtaren A të Kosovës në futboll i kanë dhënë forcë të madhe futbollistit të Llapit, Valmir Veliu, që ta harrojë momentin më të rëndë në karrierën e tij.

Veliu u lëndua në kokë pas një dueli me Diar Miftarajn, në ndeshjen, Prishtina – Llapi, e cila u zhvillua më 11 maj të vitit të shkuar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Veliu mbeti pa vetëdije dhe u desh intervenimi i stafit mjekësorë që ta shpëtojë sulmuesin e Llapit, shkruan Koha Ditore.

Madje, në fushë zbriti edhe doktori i Kombëtares së Kosovës, Murat Berisha, i cili së bashku me stafin mjekësor ia kthyen vetëdijen 19-vjeçarit, që menjëherë u dërgua në spital, ku pas dy ditëve u lirua. Lëndimi erdhi në momentin kur talenti nga Podujeva kishte filluar të shkëlqente. Ai ishte pjesë e rregullt e ekipit të parë të Llapit dhe Kosovës U21.

Sulmuesi i krahut thotë se në momentet e vështira që ka pasur ka marrë përkrahje të madhe nga shumë persona. Rikthimi në fushë pas lëndimit e sidomos debutimi me Kosovën A, Veliu nënvizon se i kanë dhënë forcë të madhe.

“Sigurisht, përkrahja e madhe që kam marrë nga familja ime, klubi dhe nga njerëzit e sportit më kanë dhënë motiv të madh që të vazhdoj dhe të mos dorëzohem, andaj i falënderoj të gjithë që më kanë përkrahur. Debutimi me Kosovën A në ndeshjen kundër Suedisë ka qenë momenti më i mirë për mua deri më tash. Të luash për vendin tënd është diçka shumë e madhe. Unë kam qenë edhe pjesë e Kosovës U17 dhe U21, ku kam shënuar në debutim për U21, por momenti kur kam hyrë në lojë ndaj Suedisë, mbetet i papërshkrueshëm. Me fanellën e Kosovës në trup, disi kam marrë forcë të madhe dhe as që po mendoj më për lëndimin. Po shikoj vetëm përpara”, tha Veliu.

Ai me Kosovën debutoi në miqësoren ndaj Suedisë më 12 janar të këtij viti që u zhvillua në Katar, duke u inkuadruar nga banka e rezervistëve në pjesëlojën e dytë.

Veliu e zëvendësoi Herolind Shalën dhe arriti shpejtësinë më të madhe në ndeshje, prej 34.1 kilometrave në orë. Puna treditore me Bernard Challandesin i ka lënë përshtypje të madhe futbollistit kosovar....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)