Sport

Boksierët që mund të përfundojnë epokën e Joshuas dhe Furyt

Foto: Reuters

Tyson Fury aktualisht është emri kryesor në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Fury ka marrë famën pas fitores impresive ndaj Deontay Wilderit, javë më parë.

Fury tani e ka në pronësi titullin e kampionit të botës në versionin WBC. Në tri versionet tjera të mëdha kampion është Anthony Joshua. Wilder mbetet në treshen kryesore të kategorisë së rëndë, por në hije po punon një grup i madh i boksierëve të rinj që shpresojnë të përfundojnë së shpejti epokën e Joshuas dhe Furyt.

Ikona e boksit, Floyd Mayweather ka parashikuar këtë javë që një yll i ri i kategorisë së rëndë do të dal papritur.

“Do të jetë një boksier i kategorisë së rëndë që nuk është nga Britania e Madhe apo nga SHBA-ja, që do të bëjë shumë famë”, ka thënë ai.

Oleksandr Usyk, Dillian Whyte, Joseph Parker e Andy Ruiz janë emra të njohur për tifozët e boksit. Por është një gjeneratë e re që mund të jap boksierin që do të dominojë kategorinë në vitet në vazhdim.

Disa prej tyre janë:

Adam Kownacki

30-vjeçari ka fituar në popullaritet për shkak të luftës së hapur që bënë. Por ta vlerësosh atë boksier me stil të rrugës do të ishte nënvlerësim.

Kownacki është boksier që bënë presion dhe shumë efektiv në këtë element. Ai ka goditje të sakta. Ndonëse nuk ka forcë të madhe eksplozive, Kownacki shkatërron kundërshtarët me numrin e madh të goditjeve.

Ka pasur përballje të vështirë me Charles Martinin, por kryesisht ishte komod në 20 fitoret e tij. Ngadalë ka përparuar në ranglistë, por tashmë është në Top 10. Ndonëse 30-vjeçar, përfundimisht është një boksier që duhet të shikohet me vëmendje.

Boksieri polak së shpejti do të bëjë hapin e radhës drejt luftës për titull të botës.

Image

Daniel Dubois

Me gjasë njëri prej boksierëve të rinj më të talentuar, Daniel Dubois është lartë në listën e atyre që në të ardhmen mund të kërkojnë titullin e botës.

Ai mund të jetë i limituar sa i takon përvojës, por në profesionizëm ka shpërthyer. Boksieri nga Londra i ka 14 fitore dhe do të takohet me medalistin olimpik, Joe Joyce në një meç të rëndësishëm muajin tjetër. Dubois është 22-vjeçar.

Nëse e fiton meçin e ardhshëm, që të gjithë e presin, ai do të konsiderohet pretendent serioz në kategorinë e rëndë.

Tyson Fury ka bërë sparing me të në vitin 2017 dhe e ka vlerësuar “mbret të ardhshëm të kategorisë së rëndë”.

Të mëdhenjtë i njohin të mëdhenjtë e ardhshëm.

Image

Arslanbek Makhumdov

Makhmudov ka nokautuar dhjetë kundërshtarët e tij, duke përfshirë shtatë në raundin e parë. Vetëm një herë ka shkuar përtej raundit të tretë.

Kështu që nuk është befasi që ai po e fiton shpejtë reputacionin si një prej boksierëve me goditjen më të fortë në kategorinë e rëndë.

Me shtatin prej gjiganti, Makhmudov po imponohet në skenën e madhe. Ndonjëherë i mungon eleganca, por këtë mangësi e mbulon me forcën që ka.

Trajneri i tij, Marc Ramsay, është i bindur që 30-vjeçari është i destinuar për të arritur në majë.

Makhmudov është nga Rusia, ndërsa aktualisht jeton në Kanada.

Image

Frank Sanchez

Nuk mund të bëhet listë e atyre që po vijnë pa e përfshirë boksierin nga Kuba. Kur merret për bazë kapaciteti i një luftëtari, shpesh shikohet e kaluara në amatorizëm. Sanchez e ka këtë përparësi, ka kaluar në sistemin e boksit amator të Kubës, të njohur si shumë i suksesshëm.

Sanchez ishte kampion i Kubës, ndërsa ka përfunduar karrierën amatore me bilanc prej 214 fitore e gjashtë humbje.

Sanchez 27-vjeçar në boksin profesionist i ka fituar të gjitha 14 përballjet, 11 prej tyre me nokaut.

Testin e parë të madh në karrierën profesioniste do ta ketë këtë fundjavë kur do të përballet me amerikanin Joey Dawejko.

“100 për qind do të arrijë në majë. I kam të gjitha parakushtet për t’u bërë kampion i botës”, ka thënë Sancezh.

Image

Efe Ajagba, Michael Hunter, Filip Hrgoviq, Ivan Dychko janë boksierët tjerë që në të ardhmen e afërt mund të rrezikojnë yjtë aktual të kategorisë së rëndë.