Sport

Në xhiron e fundit në Superligë vëmendja te skuadrat që luftojnë për barazh

Të dielën me fillim nga ora 16:30 do të zhvillohen pesë ndeshjet e xhiros së fundit të Superligës së futbollit të Kosovës. Fituese e elitës së futbollit tonë është shpallur Trepça ’89, ndërsa vendi i dytë përfundimisht do të jetë i Prishtinës dhe vëmendja më e madhe do të jetë te skuadrat që do të luajnë në barazh, në mënyrë që t’i shpëtojnë rënies nga Superliga.

Nga pozitat aktuale në tabelë, Liria në letër do ta ketë orarin më të lehtë, pasi në shtëpi e pret skuadrën tashmë të rënë nga liga, Hajvalinë, që sezonin pranveror e ka zhvilluar me junior. Një fitore e mundshme e Lirisë do ta mbante atë në elitën e futbollit kosovar edhe për edicionin e ardhshëm, transmeton KTV.

Drita nga ana tjetër që pozicionohet një vend më poshtë, në të 9-ntin me 2 pikë më pak se Liria, në shtëpi do ta pres skuadrën e Besës që përveçse pozicionohet në vendin e pestë dhe e sigurt edhe për edicionin e ardhshëm, do të luajë edhe në finalen e Kupës së Kosovës më 31 maj përballë Llapit.

Ndërkohë, Ferizaj që do të luajë në barazh për të shpëtuar nga rënia do të kërkojë fitore përballë Llapit, dhe eventualisht ta kalojë Dritën në pozitën tabelore e të dalë në vendin e 9-ntë.

Në ndeshjet tjera që do të zhvillohen sa për prestigj do të jenë ajo ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës, si dhe ndeshja tjetër derbi e xhiros së fundit do të jetë ajo ndërmjet kampiones së sivjetmë Trepçës ’89 dhe kampionit të vitit të shkuar Feronikelit, ndeshje e dy skuadrave me sulmin më të mirë në ligë.