Sport

Liga Ballkanike ka prekur fundin

Descriptive Text

Për disa vite klubet e basketbollit në vend kishin bërë përpjekje për t’u bërë pjesë e Ligës Ballkanike. Kur sporti kosovar ishte i izoluar, Liga Ballkanike ishte e paarritshme për skuadrat kosovare të basketbollit.

Tani Liga Ballkanike është e padëshiruar për to. Në fakt ky organizim ka humbur shumë vlerën në vitet e fundit. Jo vetëm skuadrat kosovare nuk po e shohin me interes paraqitjen në këtë ligë. Njëjtë është edhe me skuadra nga vende tjera të regjionit. Kështu Liga që u formua në vitin 2008 nga izraeliti Shay Shtriks ka prekur fundin dhe po shkon drejt shuarjes.

Të martën prej Ligës Ballkanike është tërhequr Rahoveci dhe kjo ligë ka mbetur me vetëm katër skuadra. Prej fillimit të edicionit ishin vetëm pesë skuadra, ndonëse përpjekjet ishin për të përfshirë shumë më tepër. Por nuk kishte skuadra të interesuara.

Në Federatën e Basketbollit të Kosovës vlerësojnë se në vitet e fundit Ligën Ballkanike e kanë mbajtur klubet nga Kosova. Këtë edicion e kanë mbajtur Peja e Rahoveci.

Liga Ballkanike kishte hapur dyert për klubet kosovare në edicionin 2013\14. Menjëherë atë edicion nisën përplasjet e klubeve kosovare me drejtuesit e Ligës.

Prishtina e ka fituar dy herë Ligën Ballkanike e Bashkimi luajti në finale dy vite më parë. Prishtina, ndonëse fillimisht shprehu interesim, nuk garoi këtë edicion. Garuan Peja, Rahoveci, Vllaznia e Shkodrës, Ibri i Rozhajës (Mali i Zi) dhe Academic Bultex 99 i Bullgarisë.

Pesë skuadra e nisën garën dhe të gjitha kaluan në rrethin tjetër të garave.

Të martën u luajt ndeshja në mes të Ibrit dhe Vllaznisë, ndërsa fitore shënuan shkodranët. Të mërkurën është dashur të luhet ndeshja Peja – Rahoveci. Por Rahoveci njoftoi se heq dorë nga garimi në këtë ligë. Madje ka njoftuar se ka përkrahjen e FBK-së për këtë vendim.

Në vendimin e Rahovecit, sipas raportimeve, mund të kenë ndikuar edhe marrëdhëniet e acaruara së fundi me Pejën, por primare është që klubi nuk e sheh interesin të marr pjesë në këtë ligë.

“Pas analizës së situatës momentale, kemi vërejtur se shpenzimet janë të papërballueshme, kurse synimi kryesor është përqendrimi maksimal në Superligë. Jemi detyruar të fillojmë reduktimet e shpenzimeve sa më shumë që është e mundur dhe kështu ta përballojmë kampionatin. Nuk ka arsye tjetër për largim. FBK-ja na ka mbështetur plotësisht në këtë vendim, pasi shihet si lëvizje pozitive e jona”, thuhet në komunikatën e Rahovecit të publikuar të martën.

Peja ka lëshuar një komunikatë lidhur me raportet e fundit me Rahovecin, por pa lënë të kuptohet se mund të largohet nga Liga Ballkanike. Ndërkohë Liga Ballkanike nuk ka lëshuar ndonjë njoftim.

Rahoveci ka deponuar garanci bankare për përfundim të garës në Ligën Ballkanike dhe mund të humbas një shumë të parave. Por ajo nuk vlerësohet e madhe. Klubet është dashur të deponojnë 3250 euro, por asnjëri nuk ka deponuar komplet shumën.

Derisa Liga e Adriatikut vazhdon të mbetet shumë e largët për klubet kosovare, në edicionet në vijim kupat evropiane do të jenë mundësia e vetme e klubeve kosovare për ndeshje ndërkombëtare.