Sport

Kundërshtari i radhës i Joshuas ishte suspenduar pasi puthi një gazetare

Boksieri bullgar i peshës së rëndë Kubrat Pulev do të përballet me Anthony Joshuan më 20 qershor në stadiumin e klubit të futbollit Tottenham në Londër.

Dueli do të jetë i vlefshëm për titujt e botës në versionet WBA, IBF, WBO dhe IBO.

Deri në këtë pikë ishte arritur edhe më herët, shkruan “The Sun”, transmeton Koha.net. Joshuas dhe Pulev ishte paraparë të ndesheshin në vitin 2017, por Pulev atëbotë u tërhoq shkaku i një lëndimi.

Por, tash kampioni i Evropës në boks amator në vitin 2008, është i motivuar për të arritur deri te suksesi historik.

Pulev 38-vjeçar është përfshirë nga kundërthëniet në të kaluarën.

Vitin e kaluar atij iu pezullua licenca e boksit pasi e puthi pa vullnetin e saj një gazetare derisa ajo po e intervistonte, mirëpo kjo nuk është e tëra.

Para tre vjetëve, Pulev dhe Joshua ishte paraparë të luftonin në Cardiff të Uellsit.

Mirëpo, vetëm 11 ditë para përballjes, Pulev lëndoi shpatullën në stërvitje dhe u tërhoq nga dueli.

Carlos Takam pranoi luftën me Joshuan dhe francezi u mposht me nokaut teknik në raundin e dhjetë atëbotë.

Më vonë, Pulev tha se ka mundur të ngjitej në ring vetëm sa për të marrë pagesën 4.5 milionë euro, por e dinte se nuk do të mund të jepte më të mirën nga vetja me lëndimin që kishte.

“Nuk ishte vendim i lehtë për t’u marrë”, kishte thënë Pulev. “E di, se po të ishin në situatën time, gati të gjithë do të përcaktoheshin të futeshin në ring në Cardiff dhe të merrnin atë pagesë milionëshe. Të gjithë tjerët, por jo edhe unë. Unë mund ta mposhti Joshuan, por jo edhe kur jam i lënduar”.

Në mars të vitit 2019, pasi mposhti rumunin Bogdan Dinu në Kaliforni, Pulev puthi gazetaren Jennifer Ravalo, pa vullnetin e saj.

Ajo e pyeti: “Nëse Tyson Fury e mposht Tom Schwarzin, a mendon se duhet të kesh një përballje me të?”

Ai u përgjigj “po”, para se ta kapte nofullën e gazetarës dhe ta puthte atë.

Komisioni Sportiv i Shtetit të Kalifornisë menjëherë e suspendoi Pulevin, mirëpo vëllai i Pulevit shpërndau një video ku shihej gazetarja Ravalo duke vallëzuar me një anëtarë të stafit të Pulevit në po atë natë.

Pulev insistoi në pafajësi.

“Të gjithë më njohin mua si miqësor dhe person të sjellshëm”, kishte thënë Pulev për gazetën gjermane “Bild”. “Ajo femër erdhi te unë pas matjeve zyrtare dhe më tha, ‘Pas meçit, ne do të festojmë’”.

Pulev u gjobit me 2500 dollarë si dhe një suspendim gjashtëmujorë nga boksi. Atij po ashtu iu tha se mund të rimarrë licencën e boksit vetëm nëse kompleton një trajnim për vetëdijesim për ngacmimet seksuale.

Katër muaj më vonë, Pulev e rimori licencën nga Komisioni Sportiv i Shtetit të Kalifornisë pasi kompletoi trajnimin.

Ai u paralajmërua, se në rast se bënë një gjë të ngjashme, do t’i pezullohet sërish licenca e boksit.

Pulev është në lidhje me këngëtaren e famshme bulgare të muzikës pop, Andrean (32). Me të është në lidhje që nga viti 2006 dhe Andrea rregullisht poston në Twitterin e saj për sukseset e Kubrat Pulevit.

Emri i vërtetë i Andreas është Teodora Rumenova Andreeva. Në rini ajo kishte fituar disa gara të bukurisë, përfshirë Miss Sofja dhe Miss Turizmi i Bullgarisë.

Ajo ka fituar më tepër se 30 çmime në muzikë dhe është e popullarizuar në rrjetet sociale, ku ka më tepër se 320 mijë përcjellës në Instagram.

Pulev ka një bilanc prej 28 fitore e një humbje në boks profesionist. Humbjen e vetme e kishte pësuar nga Wladimir Klitschko.

Në vitin 2014, Pulev u ndesh me Klitschkon në Hamburg. Meçi ishte i njëanshëm, ku Klitschko e rrëzoi Pulevin tre herë, para se ta nokautonte me një majtë të fuqishme në raundin e pestë.

“Wladimiri është kundërshtar i mirë, por ishte me fat. Unë dua rimeçin”, tha Pulev pas përballjes.

Por, atij kur nuk iu ofrua rasti i dytë nga Klitschko.

Pulev njihet ndryshe si “Kreniar e Bullgarisë”.

I pagëzuar sipas sundimtarit bullgar mesjetar, dhe i lindur në Sofje, Pulev kurrë nuk ka shqyrtuar mundësinë që të përfaqësojë një shtet tjetër.

Gjatë viteve ai ka refuzuar disa oferta luksoze për të luftuar për Gjermaninë.

Ai thotë se është çështje principi dhe kurrë nuk do të mund të luftonte për një shtet tjetër.

Kështu që Pulev do të ngjitet me flamur të Bullgarisë në ring më 20 qershor për ndeshjen me Joshuan.