Sport

Vazhdojnë lëvizjet e shumta të basketbollistëve amerikanë

Descriptive Text

Të gjitha skuadrat e Superligës së Kosovës në basketboll kanë në përbërje lojtarë amerikanë. Ka kohë që klubet bazohen shumë në cilësinë e tyre.

Por të paktë janë lojtarët amerikanë që “mbijetojnë” mbi një edicion në basketbollin kosovar. Madje sfidë është bërë edhe qëndrimi i një lojtari për një edicion te skuadra e njëjtë.

Prej fillimit të edicionit dhjetë lojtarë amerikanë kanë ardhur e janë larguar nga klubet e vendit. Shumë prej tyre e shohin Kosovën si vend të duhur për të nisur karrierë profesioniste, me shpresë për kalim në ndonjë vend ku pagat janë më të mëdha. Madje ka lojtarë që në Kosovë luajnë pa pagë mujore. Klubet e kanë obligim të paguajnë vetëm shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit për ta.

Vetëm të hënën dy lojtarë amerikanë janë larguar nga klubet kosovare. Fillimisht Ponte Prizreni njoftoi që është ndarë me lojtarin Benjamin Nakwasaah. Klubi prizrenas ka lënë të kuptohet se menjëherë mund të angazhoj lojtarë tjetër të huaj.

Një amerikan të hënën mbrëma e ka larguar edhe Golden Eagle Ylli. Ylli të dielën pësoi nga Peja në derbi të Superligës.

“Me marrëveshje të dyanshme dhe me kërkesë të vet lojtarit, kemi ndërprerë kontratën me Jameel McKay. Klubi e falënderon lojtarin për kontributin e tij dhe i uron shumë suksese në karrierë”, thuhet në njoftimin e Yllit.

Ditë më parë me Pejën është ndarë Malcolm Armstead, që ka pasaportë kosovare dhe që ka luajtur për Kosovën disa ndeshje. Sipas “eurobasket.com” ai ka kaluar te Gostivari.

Lëvizje të shpeshta të basketbollistëve amerikanë ka pasur prej fillimit të edicionit. Pritet të ketë edhe në javët në vazhdim, raporton Koha.net.