Sport

Scholesi lartëson Fernandesin

Descriptive Text

Në fitoren e thellë të Manchester Unitedit prej 5:0 ndaj Club Brugget në Europa League të enjten mbrëma, ish-mesfushori i kësaj skuadre Paul Scholes ka lartësuar mesfushorin e ardhur gjatë janarit, Bruno Fernandes.

Portugezi ishte lojtari kyç në këtë fitore por edhe në ndeshjet e fundit të “Djajve të Kuq” në Premier League. Ai mori pjesë në katër gola të skuadrës, derisa ka shkëlqyer në pesë ndeshjet e zhvilluara që kur erdhi nga Sportingu për më shumë se 70 milionë euro, transmeton KTV.

Kalimi i tij pritej që nga vera e vitit të kaluar, por u shty deri në fund të janarit të këtij viti. Me dy gola e dy asistime, Fernandes ka fituar zemrat e tifozëve dhe padyshim edhe të Scholesit, i cili në analizën pas ndeshjes për BT Sport ka thënë se Unitedi do t’i kishte punët më mirë, sikur ta transferonte vitin e kaluar.

“Skuadrës i ka sjellë frymë të re, sidomos në sulm. E ka bërë ekipin interesant dhe paramendoni se si mund të ishte skuadra sikur ta angazhonte atë verën e vitit të kaluar”, ka thënë Scholes.

Me ardhjen e Brunos Fernandesit te Manchesteri skuadra është në seri prej 7 ndeshjeve pa humbje, në të gjitha garat.