Sport

Sejdiu: Jemi në situatë shqetësuese

Descriptive Text

Te Drenica e kanë pritur rëndë disfatën e pësuar nga Drita në Gjilan, të premten (4:1). Për Drenicën ishte humbja e tretë rresht në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

Drenica ka mbetur në vend të tetë me 24 pikë, por varësisht nga rezultatet e ndeshjeve tjera mund të bie në pozitën e nëntë. Pozita e nëntë në fund të kampionatit dërgon në kategorinë e dytë.

Trajneri Gani Sejdiu ka thënë se Drenica po ua fal fitoret kundërshtarëve.

“Më brengos fakti që po tregohemi jo serioz në fushë. Duhet kritika për të gjithë, duke më përfshirë edhe mua. Të gjitha ndeshjet po i humbim në pjesën e parë. Kundërshtarëve po ua falim lojën që në pjesën e parë. Kur ia dhurojmë fitoren në pjesën e parë, vjen në shprehje cilësia e kundërshtarit në pjesën e dytë. Është një humbje për brengosje, është moment shqetësues. Do të ketë ndryshime, do të ketë reagim”, ka thënë Sejdiu pas ndeshjes.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu e ka vlerësuar fitoren. Drita ka dalë në vend të parë.

“Kishim posedimin dhe golat i shënuam me plot meritë. Ndoshta në pjesën e dytë është dashur të hyjmë më mirë, por ka ndikuar edhe rezultati. Përqendrimi ishte te Drenica që vinte pas dy humbjeve dhe ka tentuar reagimin. Tani i kthehemi ndeshjes së ardhshme”, ka thënë Nuhiu.