Sport

Lëndimet kufizuan Shaqirin në vetëm gjashtë ndeshje

Xherdan Shaqiri nuk po ia del të marr veten këtë edicion. Lëndimet e vazhdueshme kanë kufizuar yllin shqiptar të futbollit në vetëm gjashtë paraqitje në Premier League këtë edicion.

Edicioni 2019\2020 në aspektin personal mund të jetë më i vështiri në karrierën e Shaqirit. Prej se ka nisur të luajë si senior, Shaqiri më së paku paraqitje kishte në edicionin 2013\14 kur luajti 17 ndeshje për Bayernin në Bundesligë.

Këtë edicion i ka vetëm gjashtë paraqitje në Premier League për Liverpoolin, ndërsa vetëm një e ka kompletuar. Në një tjetër startoi, ndërsa në katër ndeshje është aktivizuar fare në fund, raporton Koha.net.

Së fundi Shaqiri ka luajtur më 11 janar, ndaj Tottenhamit. Aktualisht është duke sanuar një lëndim të pulpit. Lëndime tjera, kryesisht të kofshës, ka pasur më herët këtë edicion.

Liverpooli të shtunën luan ndaj Watfordit, por Shaqiri nuk do të jetë në përbërje. Këtë e ka bërë të ditur të premten trajneri Juergen Klopp.

“Të gjithë po afrohen gjithnjë e më afër, shumë më afër”, ka thënë Klop. Liverpoolit me lëndime i mungojnë edhe Jordan Henderson e James Milner. Klopp ka lënë të kuptohet se Shaqiri nuk do të jetë gati as për ndeshjen e së martës së ardhshme.

Shaqiri ka luajtur edhe dy ndeshje në Botërorin e klubeve, një në Ligën e Kampionëve dhe një në Superkupë.

Për dallim nga Shaqiri, Liverpooli po ka edicion shumë të suksesshëm. Po marshon drejt titullit të Anglisë të pritur gjatë.

Gjendjen shëndetësore të Shaqirit po e përcjellin edhe te përfaqësuesja e Zvicrës. Shaqiri pritet të jetë lider i Zvicrës në “Euro 2020”, por vetëm nëse nuk ka telashe me lëndime. Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, ka thënë ditë më parë se planifikon ta përfshijë Shaqirin në skuadër për dy ndeshje në fund të marsit.

Shaqiri 28-vjeçar ka pasur kohë pas kohe telashe me lëndime muskulore. Por asnjëherë si këtë edicion.