Sport

Kampioni olimpik suspendohet për tetë vjet

Foto: Getty Images

Kampioni i trefishtë olimpik në not, kinezi Sun Yang është suspenduar për tetë vjet nga garat, pasi ka shmangur një test të dopingut në shtator të vitit 2018, ka njoftuar BBC të premten.

28-vjeçari fillimisht ishte shpallur i pafajshëm nga FINA në janar të vitit 2019. Por pas ankesës së Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA) në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), vendimi është kthyer.

Dënimi i rëndë prej tetë vitesh suspendim i është ndarë notarit Sun pasi kjo ishte shkelja e dytë e tij. Ai në vitin 2014 u suspendua për tre muaj për përdorim të një substance të ndaluar. Sun i ka thënë agjencisë kineze të lajmeve Xinhua se planifikon të apelojë vendimin.

“Nuk është e drejtë. Besoj fuqishëm në pafajësinë time”, ka thënë notari kinez.

Sun kishte thënë në nëntor se ai lëshoi testimin pasi përgjegjësit për testim kanë dështuar të dëshmojnë identitetin e tyre kur i shkuan në shtëpi.

CAS ka arsyetuar vendimin, ndërsa ai është mirëpritur nga WADA.

Sun Yang fitoi dy medalje të arta olimpike në Londra 2012 dhe një në Rio 2016. Ka edhe plot tituj të botës.