Sport

Lojtarët e Ludogoretsit me maska e doreza në Milano

Lojtarët e klubit bullgar Ludogorets kanë mbajtur maska në fytyrë dhe doreza mbrojtëse të mërkurën ndërsa kanë arritur në Milano për t’u përballur të enjten me Interin në 1/16 e finales të Ligës së Evropës.

Përhapja e koronavirusit në veri të Italisë ka prekur kalendarin sportiv dhe lojtarët e Ludogoretsit nuk i kanë lënë asgjë rastit me të arritur në qytetin italian të mërkurën.

Për më tepër, trajneri i fitnesit i klubit bullgar ka thënë se nuk është i lumtur se si virusi ka ndryshuar përgatitjet e skuadrës, duke thënë se ai kurrë nuk ka parë diçka të tillë.

“Kjo ka transformuar planet tona, pasi ne fillimisht kishim planifikuar të qëndronim në Milano për dy netë, të vendoseshim të martën e të largoheshim të premten. Por, ne do të largohemi nga Milano menjëherë pas ndeshjes. Gjatë qëndrimit, na është kërkuar të qëndrojmë në dhomat tona të hotelit sa më gjatë të jetë e mundur, të dalim jashtë vetëm për të ngrënë dhe të evitojmë bashkëveprimin me stafin e hotelit. Do të jetë një ndeshje e madhe, në një stadium të shkëlqyer, ani pse do të jetë pa shikues”, ka thënë Ivan Diaz Infantes, për “Mundo Deportivo”, transmeton Koha.net.