Sport

City, para testit të vështirë pas suspendimit të marrë nga UEFA

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, u ka lëshuar një klithmë futbollistëve të tij që të tregojnë karakter dhe të luftojnë deri në fund në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit. 

City, që nuk ka përparuar përtej gjysmëfinales elitare të Evropës, këtë edicion e ka rastin e fundit për të bërë diçka të madhe, duke pasur parasysh se ekipi anglez është i suspenduar nga UEFA për dy edicionet e ardhshme pas një hetimi për shkeljen e rregullave të ferplejit financiar, shkruan sot Koha Ditore.

Guardiola dëshiron që futbollistët e tij, të bëjnë të pamundurën përballë Real Madridit, ekip që ka triumfuar hiç më pak se 13 herë në Ligën e Kampionëve. 

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, zhvillohet të mërkurën (sot) mbrëma prej orës 21:00 në stadiumin “Santiago Bernabeu”. “Ne duhet të tregojmë personalitetin tonë në këtë takim. E di që lojtarët, por edhe gjithë të tjerët në klub, përfshirë këtu edhe mua, duam të luftojmë deri në fund për ta fituar jo vetëm ndeshjen, por edhe trofeun”, është shprehur Guardiola. 

“Është një test i vërtetë. Përballen mbretërit e kësaj gare me një ekip që nuk është mësuar shumë të luajë në ndeshjet të tilla, pasi paraqitja jonë më i mirë ishte në një gjysmëfinale. Por, nëse duam trofeun, atëherë duhet të përballemi me ekipe të tilla herët apo vonë. Duhet ta mposhtësh Real Madridin, Barcelonën, Bayernin dhe ekipet e tjera të mëdha. Do të jemi shumë të lumtur nëse arrijmë një gjë të tillë”. 

Krahas Guardiolas, edhe mesfushori i Cityt, Kevin De Bruyne, është i bindur se tërë edicioni do të definohet nga paraqitja në Ligën e Kampionëve, që pritet të jetë e fundit pas suspendimit të UEFA-s, ndonëse ekipi anglez tashmë është ankuar në vendimin për suspendimin dyvjeçar. Madje, De Bruyne ka shkuar edhe më larg, duke thënë se nëse City patjetër duhet të triumfojë këtë edicion në Champions.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)