Sport

Januzaj po ndjehet më i qetë, shpreson të jap kontribut më të madh te Sociedadi

Adnan Januzaj po ndjehet më i qetë te Real Sociedadi. Pas spekulimeve për largimin e tij në afatin kalimtar të janarit, situata është qetësuar tashmë.

Januzaj në fundjavë shënoi një gol spektakolar për Sociedadin në fitoren 3:0 ndaj Valencias.

“Unë ndjehem shumë më mirë dhe më i qetë. Kjo është mirë, pasi kështu mund të punosh në paqe dhe çdo gjë shkon më mirë”, ka thënë Januzaj në një intervistë për gazetën “AS”, transmeton Koha.net. “Nuk ishte elehtë, pasi shumë flitej për situatën time. Por, jam te Sociedadi dhe jam i lumtur. Kam dëshmuar se mund të bëjë dallimin në këtë skuadër”.

Januzaj pret që të ketë sukses të madh në fazën e mbetur të stinorit. Këtë stinor ai ka luajtur 15 ndeshje në La Liga, ndërsa ka një gol e tre asistime. Në Kupën e Spanjës ka qenë më i suksesshëm, duke shënuar pesë gola e një asistim.

“Unë pres të kem sukses të madh në pjesën e mbetur të stinorit. Kur dikush është optimist atëherë arrinë çdo gjë. Unë ndjej besimin e trajnerit. Shpresoj të jap më të mirën në këtë pjesë të mbetur të stinorit”, ka shtuar Januzaj.

Ai e di se mund të luajë edhe më mirë dhe pret të bëjë këtë.

“Sigurisht se mund të jap edhe më shumë. Unë kam humbur topa edhe në ndeshjen me Valencian dhe me kualitetet që kam nuk bën të ndodh kjo. Unë e kuptoj se duhet të punoj edhe më fortë. Tash ndjehem fizikisht më mirë se në fillim të stinorit. Kjo është gjë pozitive”, ka deklaruar 25-vjeçari.


Ai ka folur edhe për interesimet që pati për të në janar dhe ka treguar se po ndjehet shumë mirë në Sociedad.

“Nganjëherë në futboll nuk dihet se çfarë mund të ndodh. Ka disa vendime që nuk varen nga unë. Sigurisht se kishte gjëra, por unë qëndrova dhe jam shumë e lumtur”, ka thënë Januzaj. “Kolegët e mi më kanë ndihmuar shumë. Para disa javëve tifozët nuk ishin shumë të kënaqur. Por, ata e dijnë kualitetin që kam dhe presin shumë më tepër nga unë. Unë e kuptoj këtë. Por, tash jam në moment të mirë, veçanërisht fizikisht. Unë besoj se me kualitetin që kam duhet të shënoj më tepër gola e asistoj më tepër. Jam një lojtar që duhet të bëjë dallimin në çdo ndeshje. Kjo po më mungon”.

Ai shpreson që me Sociedadin stinorin e ardhshëm të luajë në Ligën e Kampionëve. Sociedadi zë vendin e gjashtë në renditje me 40 pikë, është tri pikë larg vendit të katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.

“Për klubin është shumë me rëndësi të kualifikohet në Ligën e Kampionëve. Por, kemi edhe një ndeshje të rëndësishme me Mirandesin në Kupën e Spanjës. Ne duam të jemi në finale të Kupës”, ka shtuar reprezentuesi i Belgjikës.

Sociedadi ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Spanjës në shtëpi ndaj Mirandesit me shifrat 2:1. Ndeshjen e kthimit e luan në udhëtim më 4 mars.