Sport

Wilder fajëson kostumin e rëndë për humbjen nga Fury

Foto: Reuters

Boksieri amerikan Deontay Wilder ka fajësuar kostumin e rëndë që e pati gjatë veshur gjatë ecjes deri në ring, për humbjen e pësuar nga britaniku Tyson Fury.

Wilder humbi titullin e botës në versionin WBC në peshën e rëndë në boksin profesionist, duke u ndal me nokaut teknik në raundin e shtatë nga Fury në meçin që u zhvillua të shtunën mbrëma në Las Vegas.

Amerikani 34-vjeçar ka thënë se kostumi i tij ishte tepër i rëndë dhe si rezultat ai nuk kishte “këmbët e tij” për luftë.

Britaniku 31-vjeçar Fury dominoi përballjen duke detyruar këndin e Wilderit të hidhte peshqirin për dorëzim të meçit.

Wilder po ashtu për mediumet amerikane ka thënë se do ta aktivizojë klauzolën për meç të tretë me Furyn.

“Fury nuk më lëndoi, por thjeshtë uniforma që pata gjatë hyrjes në ring ishte tepër e rëndë për mua”, ka thënë Wilder për “Yahoo”, transmeton Koha.net.

Wilder ka thënë se kostumi ishte i rëndë së paku 18 kilogramë.

“Nuk i kisha këmbët nga fillimi i meçit. Unë e vesha atë uniformë për herë të parë një natë më herët, por besova se do të jetë aq e rëndë. Unë doja që të ishte e mirë dhe mendoj se e vendosa atë para çdo gjëje tjetër”, ka deklaruar Wilder.

Fury e rrëzoi Wilderin dy herë gjatë meçit, një herë në raund të tretë dhe një herë në raund të pestë.

Wilder u dërgua në spital pas meçit, por tha se nuk ka pasur ndonjë tronditje në kokë, dëmtim të daulles së veshit apo nofull të thyer, siç ishte raportuar nëpër mediume. Ai ka thënë se është qepur plaga që i ishte hapur afër veshit.

Wilder po ashtu ka kritikuar ndihmës-trajnerin Mark Breland që ndërpreu meçin.

“Unë jam i zhgënjyer me Markun për një fakt të thjeshtë se kemi folur për këtë shumë herë dhe nuk është emocionale. Nuk është gjë emicionale, është parim. Ne kemi folur për këtë situatë shumë vite para se kjo të ndodhte. Unë i thashë skuadrës sime që kurrë, pavarësisht se si duket, të mos e hedh peshqirin, pasi jam i veçantë. Unë ende pata edhe pesë raunde. Pavarësisht se si dukej, unë ende po luftoja. E kuptoj se ai po kujdesej për mua dhe po mundohej të bënte atë që ndjeu se është e drejtë. Por, kjo është jeta ime dhe karriera ime dhe ai duhet të pranojë dëshirën time”, ka shtuar Wilder, që ka pësuar humbjen e parë në profesionizëm.