Sport

Xhaka do të mendonte mirë para se të pranonte sërish shiritin e kapitenit te Arsenali

Foto: Reuters

Granit Xhaka thotë se do të mendonte dy herë nëse klubi një ditë vendos t’i ofrojë sërish atij shiritin e kapitenit.

“Unë e di se çfarë mund t’i jap skuadrës, me apo pa shirit të kapitenit”, ka thënë Xhaka në intervistë për “Evening Standard”. “Nëse klubi një ditë më ofron shiritin e kapitenit, atëherë do të mendoj dy herë para se të pranoja këtë”.

Xhaka ishte emëruar kapiten i Arsenalit në fillim të stinorit, por mbijetoi në këtë pozitë vetëm disa muaj. Pas një incidenti që pati me tifozët e klubit gjatë barazimit 2:2 me Crystal Palacen në “Emirates” më 27 tetor, Xhakës iu mor shiriti i kapitenit.

Xhaka kishte reaguar ashpër ndaj fishkëllimave të tifozëve dhe kishte fyer tifozët. Trajneri i Arsenalit në atë kohë Unai Emery vendosi t’ia merrte shiritin e kapitenit dhe e la mesfushorin jashtë skuadrës për disa ndeshje.

Pasardhësi i Emeryt, Mikel Arteta e ka kthyer Xhakën në përbërjen startuese dhe reprezentuesi i Zvicrës është duke treguar vlerën e tij.

Xhaka ka treguar se ka menduar largimin gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Sigurisht, nuk gënjej. Kishte një moment që e mendova, pasi nuk ishte situatë e lehtë për mua dhe familjen time. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë. Por, kam treguar karakterin. Unë nuk jam person që iki. Unë gjithmonë i them klubit, ‘Kur jam këtu, jam i gatshëm të jap çdo gjë nga vetja’. Gjithmonë ka qenë kështu. Unë stërvitem fortë dhe që gjërat janë përmirësuar për të mirë më jep kënaqësi”, ka shtuar Xhaka. “Në njërën anë kuptoj tifozët, pasi ata gjithmonë duan që lojtarët të luajnë në nivelin më të lartë, por në anën tjetër ata duhet të na kuptojnë ne lojtarëve. Nuk është gjithmonë e lehtë”.

Xhaka te Arsenali u transferua nga klubi gjerman Borussia Moenchengladbach në verën e vitit 2016. Ai ka folur për dallimin mes tifozërisë në Angli dhe Gjermani.

“Mendoj se ka dallim të madh, pasi në Angli nuk ke lidhje të ngushtë me tifozët. Në Gjermani si shembull, ka seanca të hapura stërvitore, ku vijnë tifozët dhe flasin me ty, të pyesin pse. Këtu çdo gjë është e mbyllur. Kështu që do të ishte më e lehtë në seanca të tilla stërvitore t’u shpjegoje njerëzve se çfarë po shkon keq. Por, nuk ka rëndësi tash. Duhet të shijojmë këtë ecuri të mirë dhe kjo është gjëja më me rëndësi”, ka shtuar Xhaka.

Arsenali ende nuk di për humbje në vitin 2020.