Sport

Transformimi i madh i Furyt

Boksieri Tyson Fury mund të njihet nga e diela si “Mbreti i rikthimit”. Kjo falë asaj që bëri për të mposhtur Deontay Wilderin duke u bërë kampion bote.

Boksieri britanik mposhti amerikanin në Las Vegas në një meç të cilin e dominoi plotësisht për të fituar brezin e peshave të rënda në WBC.

Sigurisht 31-vjeçari ka shijuar momente të arta edhe në të kaluarën – ishte në majë të boksit më 2015 kur kishte mposhtur Wladimir Klitschkon për të fituar katër titujt e botës. Por ai nisi të rrëshqiste shpejt nga maja, pasi beteja me depresionin dhe varësia nga droga i kushtuan me rënie nga sporti të cilin e deshi, shkruan “SkySports” në një rrëfim për kampionin e ri të botës.

Humbja e titujve të botës

Image

Pasi mposhti Klitschkon në Duseldorf, Fury mori çmimet WBA, IBF, WBO dhe IBO në kategorinë e rëndë.

E përshkroi si “ëndërr të bërë realitet”, edhe pse shpejt iu hoq brezi në IBF. Kjo sepse kontrata për meçin përfshinte një klauzolë për rimeç, duke nënkuptuar që Fury nuk mund të përballej me pretendentin për titullin IBF dhe titulli në këtë divizion iu hoq pas vetëm dhjetë ditësh.

Ai dorëzoi edhe tre titujt tjerë në tetor të 2016-s, në kohën kur u detyrua të refuzonte rimeçin me Klitschkon për shkak të problemeve ekstreme me peshën, lëndimin dhe një akuzë për doping.

Droga dhe depresioni

Akuza për doping ishte për shkak të substancës “nandrolon”. Fury dhe kushëriri Hughie kishin mohuar se kanë marrë këtë substancë.

Pasi Fury shtyu rimeçin me Klitschko për herë të dytë, duke e cilësuar veten në gjendje “jo të mirë shëndetësore për rrahje”, u raportua se ai kishte dështuar në testin për kokainë, një ditë para njoftimit publik.

Image

Pas rezultimit pozitiv për kokainë, Fury pranoi publikisht betejën me depresonin dhe dorëzoi titujt duke u koncentruar në “trajtimin mjekësor dhe rikuperim”, transmeton Koha.net.

Boksieri kishte dhënë intervistë emocionuese për “Rolling Stone”, duke thënë se “po kalonte në shumë probleme personale” dhe ishte në depresion – duke pranuar madje edhe mendimet për vetëvrasje.

Image

Nisja e rikthimit

Fury më vonë nisi rikthimin në ushtrime me synimet për ring në pranverën e vitit 2017. Por licenca e boksit u desh të rifitohej pasi tashmë ishte pezulluar nga Bordi britanik i Kontrollit në Boks.

Pas një beteje me institucionet, Fury riaplikoi për licencë të boksierit në janar të 2018-s dhe ishte vënë pas Wilderit, duke u “nxehur” me fitoret ndaj shqiptarit Sefer Seferi dhe italianit Francesco Pianeta.

Meçi i parë i Furyt me Wilderin ishte paraparë për 1 dhjetor në Los Angeles.

Image

Përmirësimi i imazhit publik

Fury jo vetëm që dëshmoi veten sërish në ring, por ai rikuperoi edhe imazhin në publik.

Edhe para se të humbte titujt, ai kishte nxitur reagime në publik duke barazuar abortin dhe homoseksualitetin me pedofilinë në një intervistë më 2015.

Këto komente, si dhe disa të tjera kontroverse për sportistet, bënë që BBC të përballej me thirrje për heqjen e tij nga gara për çmimin Personaliteti i vitit në sport.

Image

Më vonë Fury kërkoi falje për komentet dhe nga ajo kohë ishte lavdëruar për deklarimet hapur për luftën me varësinë dhe depresionin, duke thënë se dëshiron të ndihmojë e inspirojë të tjerët.

Kompletimi i transformimit

Me meçin me Wilderin në horizont, transformimi fizik i Furyt vihej më shumë në pah.

Depresioni çoi në varësi nga alkooli, me Furyn që pranoi se konsumonte shumë pije alkoolike në javë. Rëndë pësoi edhe trupi i tij.

Image

Pas një regjimi intensiv të fitnesit me një dietë të veçantë, Fury u rikthye fuqishëm e mrekullisht në fizikun ngjashëm sikur në kohën që fitoi ndaj Klitschkos.

Rifitimi i titullit WBC

Fury dhe Wilder të dy ndiheshin se s’kanë bërë mjaftueshëm për të fituar meçin e parë, që u mbyll baras.

Ishte hera e parë që Fury s’kishte fituar, por më pas ai vazhdoi fitoret ndaj Tom Schwarzit dhe Otto Wallinit – të dyja në Las Vegas.

Image

Ai tashmë ishte sikur në shtëpi para përballjes në të njëjtin vend me Wilderin.

Të dielën Fury dominoi plotësisht në MGM Arena para se Wilder të dorëzohej në raundin e shtatë duke kompletuar rikthimin e jashtëzakonshëm për 31-vjeçarin, që tani ka 30 fitore e një barazim në karrierë.

Image

Çka pritet tash për Furyn?

Fansat e Furyt duan një përballje të tij me Anthony Joshuan, që mban tre titujt tjerë të botës.

Promoteri i Joshuas, Eddie Hearn, tashmë ka shkruar në Twitter se “meçi do të bëhet dhe do të bëhet sivjet”.

Fury pret një tjetër përballje me Wilderin, por tashmë ka thënë se i duhet pak pushim me familjen pas fitores së madhe.

Fury dhe bashkëshortja e tij kanë pesë fëmijë.