Sport

“Euro 2020” ende vetëm një ëndërr për krenarinë e Kosovës

Rritja e jashtëzakonshme e Kosovës në futbollin ndërkombëtar shpesh i atribuohet pasionit të lojtarëve që përfaqësojnë një vend të pavarësuar rishtas. Por përzgjedhësi Bernard Challandes thotë se kjo ka të bëjë më shumë me futbollin e mirë se sa me krenarinë, shkruan “Reuters” të premten.

Më pak se katër vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është dy ndeshje larg nga “Euro 2020”. Muajin tjetër do të luajë në plejofin e Ligës së Kombeve, pas një serie fantastike prej 15 ndeshjeve pa humbje, përfshirë këtu fitoret ndaj Çekisë dhe Bullgarisë. Stili i lojës sulmuese të Kosovës ka qenë po aq mbresëlënës sa rezultatet.

"Kam studiuar potencialin e ekipit para se të pranoja ofertën dhe ishte e qartë se këta janë futbollistë të mirë", tha trajneri zviceran Challandes, përcjell Koha.net. "Sikurse gjithë lojtarët nga Ballkani, ata e duan topin, kanë teknikë të mirë dhe u pëlqen të driblojnë".

Challandes insistoi se këto veti i përshtateshin plotësisht besimit dhe idesë së tij për lojën e futbollit.

"Ky është futbolli im si trajner", shtoi Challandes. "Futbolli im ka qenë gjithmonë pozitiv, shumë ofensiv me presion të lartë, por edhe me rrezik. Nuk ka të bëjë me estetikën, është thjesht e qartë në mendjen time se kjo lojë më jep një shans më të mirë për të fituar".

Kur mori detyrën në vitin 2018, Challandes tha se qëllimi i tij ishte që "të ndërtojë një ekip me një filozofi të lojës dhe me disiplinë". Sidoqoftë, rezultatet i tejkaluan të gjitha pritjet dhe rritja e Kosovës në dy vitet e fundit ka qenë një nga tregimet më të shquara në futbollin ndërkombëtar.

Përafërsisht 800 mijë kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe shumë nga koha e Challandesit është shpenzuar nëpër diasporë për lojtarët e mundshëm të Kosovës. Ai ka shikuar edhe xhirime në kërkim të rekrutëve të rinj, shpesh duke garuar me Shqipërinë, Zvicrën, Gjermaninë dhe shtete tjera për të fituar besnikërinë e tyre.

Përderisa sulmuesi Mergim Berisha kishte pranuar thirrjen nga ekipi U-21 i Gjermanisë dhe të tjerët kanë zgjedhur Zvicrën, shumë të tjerë kishin zgjedhur Kosovën. Me siguri “kapja” më e rëndësishme e Kosovës ishte Valon Berisha, i cili kishte 20 paraqitje me Norvegjinë përpara se të pranonte të luante për “dardanët” në vitin 2016.

Challandes tha se ai mund të kuptojë plotësisht lojtarët që mund të zgjedhin shtetet më të mëdha dhe insistoi se asnjëherë nuk do t’iu qëndroj në rrugë për t’i penguar, pasi kështu ka vepruar deri më tani.

"Lojtarët duhet të vendosin me mendje futbolli", tha ai. "Një lojtar modern dëshiron të luajë në kampionatin evropian, Kupën e Botës, në një top-ligë të Evropës. Zgjedhja e Kombëtares ka të bëjë me atë se ai ka një shans më të mirë për të arritur këto synime dhe për mua kjo është në rregull".

Por ai shtoi se lojtarët në mënyrë të pashmangshme do të përballeshin me konkurrencë të ashpër për vendin e titullarit nëse zgjedhin Gjermaninë ose Zvicrën, dhe se shumë futbollistë e kanë ndihmuar karrierën e tyre duke luajtur për Kosovën.

"Është një dritare e bukur e dyqanit", thotë Challandes për ekspozimin e lojtarëve te Kosova.

Challandes insiston se historia e Kosovës do të thotë se lojtarët kishin një krenari të veçantë.

"Këta lojtarë janë të uritur, familjet i kanë prapa tyre, i gjithë vendi është pas tyre dhe ata e ndjejnë këtë. Është shumë e vështirë për kundërshtarët të luajnë në Prishtinë ndaj nesh", pranoi Challandes.

Por, ajo që nuk i pëlqen Challandesit është që të merret me gjendjen politike.

"Nuk dua të flas shumë për këtë. E di që ekziston, që shumë nga këta lojtarë u larguan nga vendi me familjet e tyre gjatë luftës ose kanë lindur jashtë vendit, të gjitha i takojnë historisë", tha ai. "Unë thjeshtë dua të mendoj për futbollin".

Ndeshja e parë e Kosovës në plejofin e Ligës së Kombeve do të jetë ajo ndaj Maqedonisë së Veriut (26 mars) në Shkup në kuadër të gjysmëfinales të Ligës D. Në rast të fitores, atëherë Kosova duhet ta mposht edhe fituesin e gjysmëfinales tjetër që luhet mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë për t’u kualifikuar në “Euro 2020”.

"Ende është vetëm një ëndërr", tha Challandes. "Kemi dy ndeshje shumë të vështira për t'i luajtur, të dyja larg shtëpisë. Nuk dua shumë presion. Nuk dua të flas shumë për kampionatin Evropian. Por, çdo arritje e madhe fillon me një ëndërr".