Sport

Atalanta shkruan një faqe tjetër të historisë me fitoren e thellë ndaj Valencias

Foto: Reuters

Presidenti i Atalantas, Antonio Percassi beson se kurrë nuk është tepër herët për të nisur përkrahjen e klubit, kështu që ka dërguar fanella për çdo foshnjë të lindur në spitalet në Bergamo, shkruan agjencia Reuters të entjen, transmeton Koha.net.

Ky plan u bë pak pasi Percassi mori postin e presidentit të klubit në vitin 2010.

“Dashuria dhe pasioni për ngjyrat kaltër e zi duhet të nis me të porsalindurit dhe të rritet bashkë me ta”, kishte thënë Atalanta duke shpjeguar konceptin.

Është një nga shumë gjëra që veçohen te rritja e jashtëzakonshme e klubit të Serie A së Italisë, që tash po prek maja të reja me arritjen në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.

Me seli në një qytet me popullatë rreth 120 mijë banorë, Atalanta ka shijuar një natë tjetër përrallore të mërkurën, ndërsa shkatërroi Valencian 4:1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Ndeshja u luajt në “San Siro”, pasi stadiumi i Atalantas në Bergamo nuk plotëson kriteret e UEFA-s.

Atalanta është me një këmbë në çerekfinale të garës më të madhe të klubeve.

Rreth 45 mijë shikues ishin në stadium për të shikuar ndeshjen, që do të nënkuptonte se çdo i treti banor i Bergamos ka bërë rrugëtimin në stadium, ndonëse ishte një kontingjent edhe i tifozëve të Valencias.

Në mesin e tifozëve nga Bergamo në stadium ishte një djalë i quajtur Edoardo, që mori pushim nga shkolla dhe që letra e arsyetimit e shkruar nga babai i tij u postua në Twitter edhe nga kryebashkiaku i Bergamos, Giorgio Gori.

“Ne ju informojmë se këtë pasdite Edoardo do të mungojë nga klasa për arsye kulturoro-historike. Ai do të përjetojë një faqe në libra të historisë së Bergamos së bashku me babanë e vet”, ishte shkruar në letër.

Atalanta ra nga elita tri herë që nga shekulli i ri, por fati ndërroi me ardhjen e Percassit. Por, ndërrimi i vërtetë u bë me ardhjen e Gian Piero Gasperinit në postin e trajnerit në vitin 2016.

Italiani 61-vjeçar vlerësohet një nga trajnerët më të mirë në aspektin taktik. Ai pranon se imiton tjerët dhe përdor pak nga çdo gjë.

Gasperini befasoi të gjithë duke udhëhequr Atalantan drejt vendit të katërt në Serie A në stinorin 2016-17, që ishte arritja më e madhe e klubit në elitën italiane atëkohë.

Në atë kohë, ishte parashikuar se Atalanta do të përjetonte fatin e klubeve të zakonshme mesatare, që arrijnë të bëjnë befasi një stinor dhe më pas humbasin gjithë yjet te klubet e mëdha.

Por, ndonëse Atalanta humbi lojtarët kyçë si Franck Kessie e Roberto Gagliardini, të tjerët qëndruan, ndërsa të rinjtë si dyshja kolumbiane Duvan Zapata e Luis Muriel, lulëzuan pas periudhave jo aq të mira në klube tjera.

Gasperini ka pranuar pas fitores të së mërkurës me 4:1 ndaj Valencias, se klubi i tij kurrë nuk do të jetë në mesin e klubeve të mëdha, por ai nuk shqetësohet.

“Ne kem dashur të dëshmojmë se futbolli ynë vlen dhe se mund të luajmë në Ligën e Kampionëve. Kemi dashur të dëshmojmë se e meritojmë të jemi këtu”, tha Gasperini