Sport

Challandes i pakënaqur me formatin e plejofit për Euro 2020

Descriptive Text

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes është i pakënaqur me formatin e ndeshjeve të plejofit të muajit të ardhshëm për Euro 2020.

Ai ka thënë se ky format krijon probleme logjistike për përfaqësuesen e Kosovës dhe e bën gati të pamundur për tifozët fanatik të saj që të jenë prezent në ndeshjen vendimtare.

Më pak se katër vite pasi është pranuar nga FIFA, Kosova ka mundësinë të kualifikohet për turneun e parë të madh, por duhet të luajë dy ndeshje si mysafire, kundër Maqedonisë së Veriut fillimisht e nëse e kalon këtë fazë do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Gjashtëmbëdhjetë skuadra janë kualifikuar në plejof nëpërmjet katër rangjeve në Ligën e Kombeve. Dy gjysmëfinalet dhe finalja e plejofit do të luhen në vetëm një ndeshje.

Epërsia e vendasit në gjysmëfinale bazohet në rezultatet në Ligën e Kombeve. E organizatori i finales u vendos me short.

Kosova duhet të luajë të dyja ndeshjet jashtë. Së pari e viziton Maqedoninë e Veriut më 26 mars dhe nëse fiton duhet të vizitojë Gjeorgjinë apo Bjellorusinë tri ditë më vonë.
Challandes ka thënë se kjo e bën gati të pamundur për tifozët e Kosovës që të jenë prezent në finale, në rast se Kosova arrinë në finale të plejofit.

“Ata duhet të organizojnë diçka të premten në mëngjes për të udhëtuar në Tbilisi apo Minsk të shtunën”, ka thënë zvicerani Challandes për agjencinë Reuters, transmeton Koha.net. “Është një udhëtim shumë i vështirë, gati i pamundur”.

Challandes ka thënë se do të ishte shumë më korrekte nëse ndeshjet do të luheshin në një vend, siç ishte rasti me “final fourin” e LIgës së Kombeve të organizuar në Portugali vitin e kaluar.

“Organizimi nga UEFA nuk është i mirë. Nuk e kuptoj pse nuk organizojnë gjitha ndeshjet në një shtet. Si shembull në Austri apo Zvicër, do të ishte më mirë”, ka thënë Challandes, duke shtuar se diaspora kosovare do të siguronte që stadiumet të ishin të mbushura. “Do të kishit një stadium të mbushur. Definitivisht njerëzit janë të frustruar. Ne gjithmonë kemi pasur 100 mijë apo më tepër njerëz që duan bileta për ndeshjet tona”.

Rreth 10 mijë tifozë të Kosovës ishin prezent në Southampton në ndeshjen eliminatore për Euro 2020 kundër Anglisë në shtator.

Challandes ka thënë se ka qenë e vështirë të bëhet organizimi i udhëtimit edhe për vetë skuadrën.

“Menaxheri i skuadrës është në Bjellorusi dhe nesër do të jetë në Tbilisi. Duhet të rezervojmë dy hotele e dy fluturime, ndoshta për asgjë”, ka shtuar zvicerani.

UEFA i ka thënë Reutersit se ka zgjedhur formatin duke marrë parasysh “aspektin sportiv, organizues dhe financiar” dhe ka konsultuar asociacionet nacionale.

Prapë, Challandes ka përgëzuar UEFA-në që ka prezantuar një garë si Liga e Kombeve që ka lejuar Kosovën dhe vendet tjera të vogla të kenë gjasa reale për kualifikim.

“Është mirë për zhvillimin e Kosovës. Është përvojë e mirë dhe me Ligën e Kombeve, ne kemi pasur një ëndërr dhe tash është bërë e mundur”, ka thënë Challandes.